U dënua për korrupsion, Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK për ish-gjyqtarin Shkëlqim Miri
Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e datës 23 prill të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Shkëlqim Miri, me funksion ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Komisioneri Publik konstaton se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), në vendimmarrjen e tij për raste të ngjashme, ka arsyetuar ndryshe në interpretim të së njëjtës bazë ligjore, duke argumentuar se, konkretisht, në vendimin nr. 316/2020, që është ankimuar në Kolegj, Komisioni ka vendosur përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar, pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti i rivlerësimit ka humbur statusin e magjistratit.
Ndërsa në vendimin nr. 374, datë 23.4.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit, Shkëlqim Miri, Komisioni ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për shkak të humbjes së statusit të magjistratit, pasi subjekti i rivlerësimit është dënuar me vendim penal të formës së prerë.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në rrethanat kur ende nuk është shprehur mbi ankimin e tij, kundër vendimit nr. 316/2020, i cili eventualisht ndikon edhe në shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të KPK-së, për subjektin e rivlerësimit, Shkëlqim Miri, të vendosë në mënyrë alternative ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të vendimit ose lënien në fuqi të tij.
Me 27 Nëntor 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi gjyqtarin Shkëlqim Miri me 2 vite e 6 muaj burg. Trupa gjykuese vendosi dënimin me 3 vite e 9 muaj burg për gjyqtarin. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e 1/3 së dënimit dhe përfundimisht dënohet me 2 vite e 6 muaj burg.
Prokuroria kishte kërkuar dënimit me 4 vjet burg të ish-gjyqtarit të gjykatës se Apelit të Tiranës, i akuzuar për korrupsion.
Por në shkurt të 2019, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda uli me 6 muaj dënimin ndaj ish-gjykatësit Shkëlqim Miri, ndërsa la në fuqi vendimin për fajësinë e tij për akuzën “e korrupsionit pasiv të gjyqtarit”.
Gjyqtari Shkëlqim Miri akuzohet se liroi nga burgu të dënuarin për vrasje të dyfishtë Gentjan Doda, kundrejt një ryshfeti prej 20 mijë eurosh. Ndërsa në shtëpinë e gjyqtarit gjatë kontrollit u gjetën mbi 30 milionë lekë.



