Lediana Fratari e PD-së ankimon "25 prillin" në KAS, kërkon rinumërim të votave preferenciale

Kandidatja për deputete në listat e PD për qarkun e Tiranës Lediana Fratari, ka dorëzuar sot pranë KAS kërkesën për rinumërim të votave preferenciale të qarkut ku ajo ka kandiduar.

Në kërkesën e dorëzuar pranë Kolegjit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Fratari shkruan se objekti i këtij ankimimi është rinumërimi i votave për kandidatët e Tiranës duke këndërshtuar vendimin e KZAZ/KSHZ për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve zgjedhore në qarkun Tiranë, për subjektet dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare.


Sipas Fratarit në bazë të pamjeve filmike të siguruara nga KQZ rezulton se ka mospërputhje të rezultatit përfundimtar mes proçesverbaleve të KZAZ dhe pamjeve filmike.

Lediana Fratari ishte e listuar e 33-ta në listat zgjedhore të PD për qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit dhe arriti të grumbullonte 2000 vota .