Bie kurba e infektimeve nga Covid, mjekët: Vera pritet të jetë një sezon i qetë
Shtrimet në spitalet Covid kanë arritur në zero ditët e fundit që nga fillimi i pandemisë.
Uljen e numrit të infektimeve dhe shtrimeve në spital, ekspertët e shëndetësisë e lidhin me imunitetin natyral të tufës por edhe me rritjen e temperaturave.
Mjeku i spitalit infektiv, Edmond Puca, thotë se megjithëse i vogël, ndikimi i vaksinave është ndier, por ka pasur edhe pacientë të hospitalizuar me një dozë anticovid.
"Aktualisht në spitalin infektiv janë 30-35 pacientë, janë të moshës mbi 60 vjeç," tha Puca.
Bazuar në shifrat e fundit nga ministria e Shëndetësisë mjeku Alimehmeti thotë se vera pritet të jetë një sezon i qetë.
"Zgjedhjet u kryen në periudhë të favorshme pandemie, pra kurba ishte qartësisht në rënie por edhe kushtet metorologjike të favorshme. Bazuar kjo në terrenin e asaj që ne në fakt nuk dimë që sa % e personave tashmë e ka kaluar," tha Alimehmeti.
Krahas imunitetit natyral edhe ai nga vaksinat ka patur një ndikim në këtë situatë. Mes të vaksinuarve ka pasur edhe të vaksinuar me Covid-19 pasi kanë marrë dozën e parë, madje disa prej tyre kanë patur nevojë për trajtim spitalor.
"Ka pasur raste, por mund të kenë rastisur raste pacientë të cilët kanë rënë në kontakt me virusin 2-3 ditë apo një javë para se sa të bëhej vaksina dhe pastaj është infektuar," tha Puca.
Sipas ekspertëve nuk ka vend për panik nga varianti i virusit i shfaqur në Indi.
"Është provuar në Indi që ata që e kishin kaluar e neutralizojnë këtë variant dhe është provuar që ata që ishin të vaksinuar edhe këta persona e neutralizonin këtë variant," tha Alimehmeti.
Në më shumë se dy javë numri i të infektuarve nuk ka kaluar mbi 100, ndërkohë që rënie ka patur edhe tek numri i pacientëve në spitale.