Vlorë/ Ekzekutohet me kallashnikov Bledar Birçaj, autorët i zunë pritë me makinë
Një 40-vjeçar u ekzekutua në qytetin e Vlorës në një atentat që për nga skema duket i mirëorganizuar.
Bledar Birçaj po udhëtonte me këtë makinë një orë pas mesditës së 10 majit, kur i bënë pritë në lagjen “Hajro Çakërri”.
Persona ende të paidentifikuar e sulmuan me automatik kallashnikov në zonën e njohur si "Bishti i Kalldrëmit" në Vlorë.
40 vjeçari po udhëtonte me një makinë BMW kur një makinë ka ardhur në drejtim të tij dhe nga mjeti është qëlluar me armë drejt makinës, rreth orës 13:24.
Më shumë se 11 plumba u qëlluan ndaj makinës, ku 7 i ka në trup 40-vjeçari Birçaj. Ai kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Spaja.
Ai u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Vlorës, por nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Një person i dytë
Bashkë me të në makinë në kohën e sulmit ndodhej edhe një tjetër person, i cili e ka kuptuar atentatin dhe ka arritur të dalë nga mjeti i pa lënduar.
Disa orë pas ngjarjes, ai u shoqërua në polici ku do të pyetet për rrethanat e atentatit ndaj 40-vjeçarit.
Dy autorë
Autorët ndërkohë, që besohet se ishin të paktën dy persona, janë larguar nga vendngjarja duke përdorur një makinë që dyshohet se ishte e vjedhur.
Policia ngriti postblloqe e ushtroi kontrolle në kërkim të autorëve që sipas të dhënave u larguan në rrugën e Lumit të Vlorës.
Kush ishte Bledar Birçaj
Bledar Birçaj njihet si biznesmen në Vlorë, pasi zotëron një lokal në zonën e Lungomares, por ishte person i njohur edhe për drejtësinë.
Pistat kryesore ku është përqëndruar hetimi për atentatin janë ajo e hakmarrjes dhe trafikut të drogës në Spanjë e Belgjikë, ku veprojnë rrjetet e grupeve kriminale me bazë në Vlorë.


