Përballja e dytë e Metës me PS, Maxhoranca e ka "me ngut": E largojmë me këtë parlament

Përmes 50 firmave të deputetëve aktual, Partia Socialiste ka nisur procedurën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Deklarata e Presidentit Ilir Meta më 21 prill 2021: Ti mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat e ti kenë gati për të dielën” por dhe deklarata të tjera mund t’i kushtojnë Ilir Metës postin e Presidentit të Republikës.

Të paktën, ky është pretendimi i 50 deputetëve socialistë të cilët kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

Propozuesit më në krye Taulant Ballën akuzojnë Metën se me qëndrimet e tij ka shkelur Kushtetutën, duke përcjellë mesazhe të cilat kanë përçarë popullin si dhe kanë vënë në rrezik rendin kushtetues.

“Deputetët kërkues vlerësojnë se Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Janë të gjitha provat që jo vetëm argumentojnë qëndrimin,  por janë provat e nevojshme për të inicuar procesin e shkarkimit të presidentit” tha Balla.  

Madje në shkresën prej 41 faqesh, socialistët fajësojnë Metën për ngjarjen në Elbasan që çoi në humbjen e jetës të një qytetari.

Gjithashtu deputetët e selisë rozë janë shqetësuar edhe për deklaratat e kreut të Shtetit ndaj ambasadores amerikane, që sipas Ilir Metës, Yuri Kim po ndërhynte në punë e brendshme duke mbështetur Edi Ramën.

Balla e tregoi  qartë që socialistët duan që Metën ta shkarkojnë brenda kësaj legjislaturë për të mos pritur rikthimin e PD dhe LSI-së në Parlament.

"Kuvendi e ka hapësirën e nevojshme për ta institucionalizuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe e ka kohën e nevojshme dhe të mjaftueshme për ta përfunduar brenda mandatit të këtij parlamenti, pra të legjislaturës 9. 

Legjislatura 10 nis më 9 shtator. Ka kohë për ta shqyrtuar në detaj këtë kërkesë. Legjislatura e 9-të është sovrane për të marrë vendime. Deri në atë moment i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të kryer detyrën"

Kjo është procedura e dytë që socialistët ndërmarrin për ta shkarkuar “armikun” e tyre politik. Pavarësisht dëshirës së Edi Ramës për ta larguar metën nga Presidenca fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.

Në listën e e socialistëve të cilët kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit, mungon firma e Edi Ramës dhe ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Por kjo nisëm për kreun e Shtetit është thjeshtë një shashkë për të larguar vëmendjen nga krimet zgjedhore.

Konferenca e Kryetareve e fut ne kalendar 

Konferenca e Kryetarëve fut në kalendarin e punës shqyrtimin e propozimit të mazhorancës për shkarkimin e Presidenit Ilir Meta.

Futja e shqyrtimit të kërkesës së shkarkimit të presidentit në kalendarin e punës së kuvendit erdhi pas propozimit të adresuar nga socialistët, të cilët depozituan kërkesën.

Konferenca e Kryetarëve u mblodh ditën e sotme ku u vendos miratimi i programit të punës në kuvend për periudhën 10 maj-9 korrik 2021 dhe kalendarin e punimeve për periudhën 4-21 maj 2021.

Datat e vendosura për zhvillimin e senacave plenare mësohet të jenë  4 maj, 6 maj, 13 maj dhe 20 maj 2021.

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u zhvillua me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).

 

(Lajmi u perditesua)