Grushte e shkelma te shkolla "1 Maji" në sy të policisë

Një sherr i nisur mes simpatizantëve të PD dhe PS brenda KZAZ 30 te shkolla ‘1 Maj’ në Tiranë, ka degjeneruar në dhunë masive në prezencë të policisë.

Disa persona pa bexhat dalluese kanë goditur me grushte vëzhguesit e PD në prezencë të kandidates për deputete Oriola Pampuri.

Nga pamjet e publikuara, shihet që në sherr përfshihet edhe një komisioner i PD.

Përplasja ka vazhduar edhe në ambientet e jashtme. 

"Rreth orës 22:45, tek shkolla "1 Maji", në VNV nr.30, me kërkesë të KZAZ-së, sherbimet e Policisë, me Vendim nr. 262, të KZAZ-së, kanë ndërhyrë në ambientet e brendshme të KZAZ-së ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave, pasi kishte një konflikt mes vëzhguesve dhe numëruesit të votave" njoftoi policia.

Grushte e shkelma te shkolla "1 Maji" në sy të policisë
Ne foto: Sherri ne "1 Maj", 26 prill 2021

Sherbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjeherë dhe kanë bërë shoqërimin e 8 personave për veprime të metejshme hetimore.


Aktualisht ka ndaluar procesi i numërimit të votave dhe  shërbimet e policisë vijojnë të kryejnë detyrën për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

Kandidatet për deputete të PD-LSI tregojnë versionin për ngjarjen

Oriola Pampuri, tha se përfaqësuesit e KQZ nuk kishin asnjë informacion për autorët, teksa kanë qenë këta të fundit që ngacmuan e dhunuar vëzhguesin e PD.

Ndërsa Silva Caka, e pranishme në momentin e përplasjes tha se në ambientet e KZAZ kishte persona të paautorizuar dhe në momentin e pushimit kur numëruesi dhe vëzhguesi i PD ishin duke diskutuar me njëri-tjetrin, një prej personave të paautorizuar ka kërcënuar dhe me pas dhunuar përfaqësuesit e PD.

Aktualisht thotë Caka, ka ende persona të paautorizuar në atë qendër numërimi.

"Këtu ishte një miting njerëzish që nuk janë të identifikuar. Ka një rregull, çdo parti ka nga një vëzhgues në çdo tavolinë numërimi. Nuk duhet të ishin më shumë se 20 veta brenda. Në krahun ku është ulur deputeti i PS janë 24 persona"

Menjëherë në këtë KZAZ mbërriti edhe vetë Komisioneri Shtetëror, Ilirian Celibashi.