Finiq/ Zhduken 505 fletë votimi të fshatit Livinë
Një rast i paprecedentë është raportuar sot në mbrëmje në bashkinë e Finiqit.
Fshati Livinë i Finiqit ka 600 banorë me të drejtë vote, dhe nga KQZ janë dërguar 600 fletë votimi, por të dielën kanë ushtruar të drejtën e tyre vetëm 95 qytetarë.

Sot pasdite në KZAZ nr 91 të Finiqit pasi përfundoi numërimi i kutisë me nr 46/33 - që i përket këtij fshati - komisionerët vunë re se mungonin 505 fletët e votimit të papërdorura.

Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me këto 505 fletë votimi.
Ndërkohë nga 95 fletë votimi që u gjetën në kuti, 90 ishin pro një subjekti politik ndërsa 5 ishin për një subjekt tjetër politik
Sipas gazetares Lushkaj nuk dihet ku kanë shkuar fletët e votimit të papërdorura dhe vetëm pas tre orëve debat u kërkua të mbahej një proçesverbal. Nisur dhe nga presioni i mediave që ishin të pranishme komisionerët vendosën ta shpallnin të pavlefshme atë kuti votimi.

Bashkia Finiq ka pjesëmarrjen më të ulët në votime për shkak se në të jetojnë minoritarë dhe ardhja nga Greqia ka qenë e pamunduar për shkak të karantinës.
Si duhej te veprohej me fletet e votimit te paperdorura
Në një rast të ngjashëm këto fletë votimi duhet të ishin vendosur në një zarf dhe të mbërrinin në KZAZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore, por komisionerët e KZAZ kur kanë hapur kutinë kanë gjetur vetëm 95 fletët e votimit.

