KQZ me "dorë të hekurt" ndaj zvarritjes së numërimit, 3 mijë lekë gjobë komisionerëve të 18 KZAZ-ve

Vonesat me numërimin e votave për zgjedhjet e 25 prillit kanë detyruar  KQZ të ndërmarrë masa administrative ndaj komisionerëve të KZAZ-ve.

Zëdhënësja, Drilona Hoxha, tha sanksioni prej 3 mijë lekë gjobë është firmosur nga komisioneri shtetëror Celibashi, dhe përfshin 18 KZAZ që kanë numëruar më pak se 50% të qendrave të votimit që kanë në administrim.

Drilona Hoxhaj: Ka përfunduar numërimi për subjektet dhe kandidatët për 39 KZAZ. Në 35 KZAZ kanë arritur të numërojnë mbi 50% të qendrave të votimit që kanë në administrim, ndërsa 18 KZAZ kanë numëruar më pak se 50% të qendrave të votimit që kanë në administrim.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur sanksionin administrativ prej 3 mijë lekësh për të gjithë anëtarët e KZAZ-ve të cilët deri në këto momente që flasim kanë numëruar më pak se 50% të qendrave të votimit. Kodi Zgjedhor përcakton se tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve për Zonën e Administrimit Zgjedhor nxirret nga KZAZ jo më vonë se ora 22:00.