Salillari merr miliona, bashkia e Himarës i jep 48 milionë lekë për ndërtimin e një rruge

Kompania Salillari ka siguruar një tjetër kontratë me vlerë 48 milionë lekë në një procedurë ku të gjithë konkurrentët janë larguar nga gara. Këtë herë është Bashkia e Himarës nën drejtimin e Jorgo Goros që ka dhënë tenderin për ndërtimin e një segmenti rrugor edhe pse subjekti Salillari është akuzuar kohët e fundit për punime të dobëta në rrugët që pësuan shembje masive nga moti I keq nga veriu deri në jug të vendit.

Tenderat pa garë dhe mënyra e përzgjedhjes së fituesit duke shmangur konkurencën janë kthyer në një fenomen i cili konstatohet pothuajse në të gjitha institucionet publike.

Bashkia e Himarës nën drejtimin e Jorgo Goros, ka zhvilluar një procedurë të tillë vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve.

Sipas njoftimit të Agjencisë së Prokurimeve Publike kompanisë  Salillari i është dhënë një kontratë ku konkurrentët janë skualifikuar.

Për rikonstruksionin e rrugës Stefanel segmenti 1-2, institucioni nën drejtimin e Jorgo Goros ka parashikuar fondin limit prej 48.3 milionë lekësh.

Në garë u paraqitën 3 operatorë ekonomikë, 2 prej të cilëve u përjashtuan, njëri pasi nuk kishte paraqitur asnjë dokument përveç ofertës ekonomike, ndërsa tjetri sepse kishte mangësi në numrin e punonjësve dhe licencave që i kërkoheshin nga Bashkia e Himarës.

I vetmi operator në garë, njëherësh edhe fitues i kontratës ka mbetur Salillari me ofertën 48 milionë e 92 mijë lekë të reja pa TVSH.

Kjo kompani është rikthyer në vëmendje kohët e fundit për shkak të shembjeve masive të ndodhura në akset që ajo kishte ndërtuar dhe mirëmbajtur nga veriu në jug të vendit.

Pavarësisht se fondet e marra nga buxheti kanë qenë të konsiderueshme në këtë sektor burimet bëjnë të ditur se nga verifikimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë konstatuar punime të dobëta për të cilat është dërguar edhe kallëzim penal në prokurori për hetime të mëtejshme.