Mediat raportuan 12 mln € pasuri të sukestruara edhe në Shqipëri, RTV Ora zbardh dokumentin: Gabim i Ansa, bëhet fjalë për Bullgarinë

Media italiane e  agjenci të njohura të informacionit si Ansa si dhe mediat shqiptare kanë shpërndarë sot lajmin e sekuestrimit të 12 milionë euro pasuri në Shqipëri e në 6 rajone italiane për llogari të një kompanie transporti te tregtimit të produkteve të naftës e të lidhura me mafien italiane.

Por në dokumentin zyrtar të zotëruar nga RTV Ora, operacioni i koduar "Ndiq paratë", flet për sekuestrime në Bullgari e jo në Shqipëri.

Këtë fakt e ka konfirmuar dhe koloneli i Guardia di Finanza G. Tramontano në një bisedë telefonike me gazetaren e RTV Ora në Romë Alba Kepi. E sipas tij "lajmi i publikuar nga Ansa është një gabim redaksional".

Operacioni "Ndiq paratë" ka zbardhur një trafik ndërkombëtar produkte nafte për llogari të mafies siciliane të klanit Scalisi e të familes Laudani.

Operacioni është ekzekutuar nga Antimafia e Katanias e Guardia di Finanza e Katanias e është shtrirë në gjashtë rajone italiane (Sicilia, Lombardia, Veneto, Lazio, Piemonte e Friuli Venezia Giulia) e në provincat  e Catania, Roma, Milano, Novara, Udine, Varese e Verona dhe në Bullgari.

Përmes kompanive të ngritura nën emra personash që vepronin për llogari të mafies siciliane bosët e familjeve mafioze kryenin investime të paligjshme në sektorin e tregtimit të produkteve të naftës.

Autoritetet italiane kanë sekuestruar katër kompani të sipërmarrësve mafiozë, me bazë në Cologno Mozese në provincën e Milanos, tre kompani të tjera  në Sofje të Bullgarisë, me vlerë 12 milionë euro e 1 milionë e 900 mijë euro cash.

Hetimet në territorin bullgar u bën të mundur falë bashkëpunimit me agjencinë evropiane Eurojust.