Mamurras/ Lirohet polici që plagosi 2 efektivë, burg "organizatorit" të pritës

Gjykata e Kurbinit ka nxjerrë nga qelia efektivin e Policisë së Shtetit që plagosi dy kolegë dhe një qytetar në Mamurras. Në qeli mbeti vetëm një 3 anëtarët e fisit Fufi që i akuzohen se u bënë pritë dhe sulmuan policët pas një kontrolli në një lokal ku dyshohej për lojëra fati.

Mamurras- Gjykata e Kurbinit ka nxjerrë nga burgu efektivin e Policisë David Medani, i arrestuar pasi plagosi me armën e shërbimit dy kolegë dhe një qytetar në Qytetin e Mamurrasit.

Hetimet ndaj punonjësit 45 vjecar të Policisë së Shtetit do të vazhdojnë me masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Gjykata ka nxjerrë sot nga burgu edhe Gjon e Rudolf Fufin, dy nga personat që akuzohen se u bënë pritë efektivëve të policisë dhe u konfliktuan me ta

Nikoll (Fufi) Vorfi, është i vetmi person i përfshirë në përplasje që nga spitali i Traumës ku po trajtohet për plagët e marra me armë zjarri do të shkojë direkt në qelinë e Burgut,  pasi gjykata i ka komunikuar masën e sigurisë arrest me burg.

36 vjeçari Vorfi,  sipas hetimit konsiderohet si organizator i pritës që anëtarë të fisit Fufi u bënë efektivë të policisë, pasi më herët kishin ushtruar kontroll në lokalin e një familjari me dyshimin se aty kishte lojera fati të paligjshme.

Sipas variantit zyrtar të ngjarjes, për shkak të goditjes me sende të forta polici David Medani ka bërë qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij Ilir Zeka dhe Flamur Lleja.

Siç shpjegon SHÇBA efektivi i policisë akuzohet për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

Ndërsa tre anëtarët e fisit Fufi akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Lexo edhe: Përplasje në qendër të Mamurrasit/ Tre të plagosur mes tyre dy policë