Databaza e votave, PS shkeli ligjin, 13 organizata dënojnë keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve

13 organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriu kanë dënuar ashpër keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në databazën e partisë socialiste për orientimin politik të qytetarëve. Në një deklaratë ku nxitet hetimi I këtij rasti, organizatat theksojnë se informacionet e përfshira në databazë janë sensitive pasi identifikojnë plotësisht çdo qytetar të përfshirë.

Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë reaguar ashpër duke dënuar përpunimin dhe publikimin e të dhënave personale të 1 milion banorëve të Tiranës në databazën e partisë socialiste për orientimin politik të qytetarëve.

Sipas tyre, kjo shkelje ligjore është kryer me qëllim projektimin e rezultatit elektoral në zgjedhjet e 25 Prillit nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Organizatat thonë se mbajtësit e databazës i kanë dhënë vetes atribute që ligjet në fuqi në republikën e Shqipërisë jua ndalojnë

"Është e qartë se në rastin konkret, Partia Socialiste e Shqipërisë ka ndërmarrë në mënyrë faktike rolin e subjektit kontrollues të të dhënave, që vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë, mban, përpunon, administron, arkivon dhe për këtë shkak kontrollon të dhëna personale."

Duke cituar bazën ligjore që kërkon marrjen e pëlqimit të qytetarëve për përdorimin e të dhënave personale të tyre, 12 organizatat theksojnë se edhe nëse Partia Socialiste e Shqipërisë e lidh rastin e fundit me nenin 10 të ligjit, lidhur me përpunimin për kërkime shkencore dhe statistikore, parashikohet se që rastet kur përdorimi i të dhënave lejon identifikimin e subjektit të të dhënave, ato duhet të kodohen menjëherë, në mënyrë që subjektet të mos jenë më të identifikueshme.

"Është mjaft e qartë dhe lehtësisht e verifikueshme, se databaza në fjalë nuk përmbush asnjë kriter të ngjashëm sigurie. Në gjuhën e ligjit ky rast përbën haptazi mbledhje, përpunim dhe përhapje të paligjshme të të dhënave personale dhe sensitive të afro 1 milion qytetarëve shqiptarë, pa pëlqimin e tyre."

Në deklaratë thuhet se ruajtja e të dhënave si numri personal i identifikimit, ditëlindja dhe vendlindja, banesa dhe numri celular përbëjnë shkelje të rëndë të privatësisë dhe  administrimi i tyre për qëllime elektorale krijon një precedent të dëmshëm për demokracinë.