Basha: Opozita e bashkuar, përçarja mes nesh marifet i kryeministrit në ikje
Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se nuk ka asnjë ndarje në Partinë Demokratike apo në aleancën tonë.
Basha theksoi se sot Partia Demokratike ka ardhur me një ekip i cili reflekton shkallën më të lartë të përgjegjësisë, integritetit, profesionalizmit dhe mbi të gjitha përkushtimin ndaj njerëzve.
Sonila Meço: Zoti Basha do të kaloj tani në pjesën e fundit tek disa pyetje që kanë të bëjnë qoftë me taktikat për maksimalizimi e votës, qoftë me strategjinë që ndiqet nga grupi juaj i punës. Ju shqetëson fakti që si e djathtë po shkoni goxha ndarë në këto zgjedhje? E kam fjalën ju bashkoheni bashkë me aleatët tek Aleanca për Ndryshim, por eksponentë të rëndësishëm që kanë qenë pjesë e këtij 30-vjeçari të Partisë Demokratike janë me partitë e tyre respektive, po hyjnë dhe po kërkojnë votë duke shënjestruar disa herë më shumë ju sesa kryeministrin aktual. Ju shqetëson kjo gjë?
Lulzim Basha: E ke përgjigjën brenda pyetjes. Nuk ka asnjë ndarje në Partinë Demokratike apo në aleancën tonë. Ne jemi të gjithë të bashkuar, madje do të thoja në 30 vite nuk ka patur një bashkim më të madh forcash politike ndërsa marifetet e kryeministrit në ikje kanë dështuar dhe njerëzit i kanë lexuar për atë që janë marifete dhe nuk do të kenë asnjë sukses. Vetëm tregojnë shkallën e dëshpërimit për humbjen që e pret. Natyrisht siç e thamë që nga fillimi ndryshimi është në dorë të shqiptarëve dhe ftesa ime ndaj çdo qytetari është që me 25 prill të votojë për numrin 9, të votojë për koalicionin për ndryshim dhe në këtë mënyrë të garantojë të ardhmen e familjes dhe të fëmijëve të tyre. Të kuptojnë që 25 prilli nuk bëhet për mua, nuk bëhet për Edi Ramën, bëhet për ta. Është e vetmja ditë kur pushtetin e kanë qytetarët.
Sonila Meço: E kanë të vështirë të besojnë zoti Basha se në përgjithësi është një 30-vjeçar i cili Shqipërinë duhet ta kishte parë diku tjetër. Ju e dini se sa trena kemi humbur që nga viti 1990 kur Shqipëria ishte më herët sesa vendet e tjera të Ballkanit në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik. Megjithatë ju thatë ndryshimin do ta bëjnë shqiptarët, opozita është më e bashkuar se kurrë, është ky ndryshimi i nevojshëm ajo që kemi nevojë. Një shqiptar i thjeshtë i pavendosur në këtë rast mund të pyesë. Zoti Basha a mund të vijë ndryshimi edhe me njerëz që ju i keni brenda përbrenda koalicionit tuaj të cilët kanë 30 vjet në politikë dhe kanë zhgënjyer?
Lulzim Basha: Padiskutim që demokracia sjell ndryshimin që administron pushteti dhe në opozitë. Kjo është një përvojë, një përvojë e cila mund të përdorët pozitivisht apo negativisht. Sot Partia Demokratike ka ardhur me një ekip i cili reflekton shkallën më të lartë të përgjegjësisë, integritetit, profesionalizmit dhe mbi të gjitha përkushtimin ndaj njerëzve. Shikoni ekipin e grave tona, e zonjave tona, shikoni historitë e jetës si janë përballur me sfidat personale, si janë përballur me sfidat profesionale.