Basha: Në 8 vite s'ka bërë asgjë, Rama ka qeverisur me pushtetin më të pakufizuar qysh nga koha e Enver Hoxhës

Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se Edi Rama ka 8 vite që qeveris me një pushtet të pa kufizuar.

Basha shtoi se ata që kërkojnë votëbesimin për të drejtuar vendin, kanë për detyrim t’ju shpjegojnë qytetarëve se si do të zgjidhin problemet, por sipas tij Rama nuk ka bërë asgjë në 8 vite.

Sonila Meço: Është ky shtet që ka vendosur këtë infrastrukturë në shërbim të zgjedhjeve dhe në këtë kuadër pavarësisht gjithçkaje ne kemi dëgjuar edhe ambasadoren amerikane të flas për krimin në zgjedhje dhe të ketë kujdes. Kujt po i flet kjo ambasadore amerikane? Dhe e dyta, pavarësisht dëshirës mirë që mund të kenë shqiptarët për të votuar, por ende u përmend fjala tërmet nga kryeministri aktual Edi Rama me një nga personat që rezultuan të përgjuar edhe nga të publikuara më pas nga gazeta BILD dhe që nuk u ndëshkuan? Kështu që Shqiptarët mund të pyesin pse duhet të jetë ndryshe kësaj radhe?

Lulzim Basha: Shqiptarët e kanë vendosur, shumica e tyre e kanë vendosur ndryshimin. Dhe mezi po presin 25 prillin. Këtë unë e prek dhe e ndjej kudo, nga nivelet më të larta të intelektualëve, tek fermerët e Divjakës, nga sipërmarrja e vogël te sipërmarrja e madhe prodhuese, nga pensionistët tek fëmijët e tyre dhe studentët.

Sonila Meço: Mendoni do të jetë një votë sepse njerëzve i ka ardhur në majë të hundës nga Edi Rama apo do të jetë për ju?

Lulzim Basha: Ne kemi bërë detyrën tonë dhe do ta bëjmë deri në ditën e fundit sepse unë besoj që politika Evropiane që ndërton një demokraci të shëndetshme, një ekonomi, vende pune, mirëqenie, bazohet në dy parime. Ai që ka patur pushtetin duhet të japë llogari se çfarë ka bërë me pushtetin. Dhe Edi Rama ka 8 vite që qeveris me një pushtet të pa kufizuar, pushtetin më të përqendruar që nga koha e Enver Hoxhës ndërsa ata që kërkojnë votëbesimin për të drejtuar vendin, kanë për detyrim t’ju shpjegojnë qytetarëve se si do të zgjidhin problemet, sfidat apo si do të plotësojnë shpresat dhe aspiratat e tyre. Këtë, unë, ekipi im, fushata jonë po e bën çdo ditë. Ndërkohë që, pala tjetër jo vetëm që nuk angazhohet në një llogaridhënie por siç e shikoni po bëhen lloj lloj trukesh për t’i ikur të vetmes pyetje që shtrohet para tij nga qytetarët shqiptarë. Çfarë ke bërë këto 8 vite? Pse? Përgjigja është e qartë, asgjë. Kjo është dhe arsyeja pse refuzon debatin.