Basha: Garanci për mbrojtjen e votës janë shqiptarët, të dalin të votojnë masivisht

Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se garancia për mbrojtjen e votës në 25 prill janë qytetarët.

Sipas Bashës, ata që duan ndryshim duhet të dalin masivisht të votojnë, sepse kjo është garancia që një pakicë absolute mundon të ruaj status quo për veten e tyre në kurriz të shqiptarëve.

Sonila Meço: Cila është garancia për mbrojtjen e votës?

Lulzim Basha: Garancia janë qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë të qartë sot se pa avancimin drejt anëtarësimit në bashkimin evropian, as ekonomia nuk mund të funksionojë, as demokracia, as stabiliteti nuk janë të garantuara. Nga ana tjetër nuk mund të shkosh në bashkimin evropian me rroga 200 euro dhe  me institucione të shkatërruara dhe pushtetin në dorën e një njeriu, pra 25 prilli është një ditë në të cilën do të vendoset po kështu, nëse Shqipëria do të izolohet sepse ju e dini, një nga kushtet për të avancuar drejt bashkimit evropian janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Një nga kushtet që madje artikulojë një nga kolegët tuaj, gazetari, personaliteti shqiptaro-amerikan, zoti Elez Biberaj, që mos të rrezikojmë një izolim madje do të thoja edhe me shtetet e bashkuara të Amerikës janë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe shqiptarët tashmë e kanë të qartë, që pa garantuar hyrjen në bashkimin evropian, nuk mund të garantojmë mirëqenie dhe nga ana tjetër vet procesi i shkuarjes së Shqipërisë drejt integrimit evropian është një proces që ndihmon mirëqenien, përmes financimit për fermerët, për studentët, për sipërmarrjen. Pra ka një vetëdijesim se 25 prilli do të jetë një ditë bashkimi i shumicës dërmuese të shqiptarëve që nuk e duan një izolim.

Sonila Meco: Besoni që masivizimi i votuesve, pra dalja masive në votime është garancia edhe për mbrojtjen e kësaj vote?

Lulzim Basha: Pa diskutim, pa diskutim sepse nuk ndodhemi për herë të parë këtu dhe unë do të thoja se jo vetëm në këtë aspekt, por në çdo aspekt tjetër këto janë zgjedhjet më vendimtare për Shqipërinë që nga zgjedhjet që sollën demokracinë, sepse atëherë edhe atëherë një shumicë dërmuese shqiptarëve e bëri të pamundur që mekanizmat e diktaturës të funksiononin dhe sollën ndryshimin. Natyrisht shumë ujë ka rrjedhur, nuk ndodhemi përpara  të njëjtave situata dhe sfida. Sfidat janë të ndryshme, por një gjë është e qartë dhe e krahasueshme me atëherë. Shumica e dërmuese e shqiptarëve është e etur për ndryshim. Tani është në dorën e tyre ta bëjnë të mundur me votë. Ata që duan ndryshim të dalin masivisht të votojnë, kjo është garancia që një pakicë absolute mundon të ruaj status quo për veten e tyre  dhe në kurriz të shqiptarëve do dështojë në çdo lloj marifeti që kërkon të përdorë dhe në fakt nga kjo pikëpamje edhe kjo që ka dalë është një nga marifetet e radhës që tregojnë panikun që i ka kapur.

Sonila Meço: Marifet po, por  tregojnë edhe llojin e shtetit në të cilin jetojmë. Sot të dhënat personale mbrohen me ligj.

Lulzim Basha: Nuk besoj që ka ndonjë habi këtu.

SonilaMeço: Me ligj po, por është ky shtet që po i organizon këto zgjedhje.

Lulzim Basha: Nuk ka ndonjë habi këtu.

https://youtu.be/YNY2UCV4uTw