Punonjësit e Albcontrol në protestë: Prej 11 muajsh na kanë shkurtuar pagat padrejtësisht
Punonjësit e “Albcontrol” kanë protestuar këtë të premte për reduktimin e pagave nga shoqëria dhe pezullimin e të drejtave të fituara me kontratën kolektive.
Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror shprehet se për këtë vendim nuk ka pasur asnjë konsultim.
"Vendimi përveçse nuk u është njoftuar kontrollororëve ka edhe efekt prapaveprues. Efektet e veprimit nuk fillojnë nga data kur merret veprimi por nga data 1 prill, që është në shkelje të gjithë legjislacionit të Republikës së Shqipërisë".
Në mungesë të komunikimit, pas 11 muajsh situata mbetet e njëjtë.
"Me vendimin e prillit 2020 u ndryshuan kushtet operacionale, kontrollorët filluan të jenë një muaj në punë, një muaj në shtëpi. Një kontrollor që nuk vepron për një muaj humb të gjitha reflekset e domosdoshme."
"Arsyeja pse jemi këtu është se kontrollorët nuk kanë synim vetëm pagat, kontrollorët duan të dëgjohen, të jenë partnerë në mirëmenaxhimin e kësaj kompanie që për fat të mirë apo të keq për shkak të specifikës së profesionit tonë ne e kemi lidhur jetën tonë dhe të familjeve tona me këtë kompani."
Vendimi për uljen e pagave ka vijuar që prej fillimit të prillit e deri më sot.