Plazh në pandemi, nis pastrimi në Durrës, Sako: Synojmë që në qershor t’i rikthehemi normalitetit
Pak ditë pasi kreu i qeverisë lajmëroi vaksinimin e stafeve të hoteleve, krerët e bashkive bregdetare kanë nisur të përgatiten për sezonin turistik.
Të premten në Durrës makineritë e Bashkisë të monitoruara edhe nga kryebashkiakja Emirjana Sako kanë hequr papastëritë në një pjesë të vijës bregdetare.
Duke thënë se vaksinimi i stafeve të hoteleri-turizmit do të jetë një ndihmesë e madhe, Sako tha se muajin e ardhshëm pritet të nisë edhe dezinfektimi i rërës.
"Po merren masa në mënyrë që të fillojë dhe vaksinimi i kategorisë së shërbimit të hotelerisë në mënyrë që të jemi gati për të pritur turistët. Nuk besoj se do të kemi masa si ato të vjetshmet. Do të tentojmë që deri në qershor ti jemi kthyer normalitetit sa i takon turizmit."
Edhe këtë vit i gjithë bregdeti i Durrësit pritet të jetë 80% privat, dhe vetëm 20 % publik.