Punëtorë nga Bangladeshi? Enkel Demi: Lojë e madhe, sërish do futet mafia. Rama ka plan shpopullimin
Dje Drejtori i departamentit të EuroAzisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj përcolli një mesazh të drejtëpërdrejtë dhe tepër therës për kryeministrin Edi Rama.
“Nëse do të zbatosh metoda autoritariste e ke mbyllur me Amerikën pasi Amerika nuk ka ndërmend të ushqejë një Republikë Bananesh dhe as një instalim regjimi” komenton gazetari Enkel Demi në studion e lajmeve të RTV Ora me gazetaren Beti Njuma.
Demi thotë flitet për një lojë të madhe dhe ndryshe nga diktatori komunist, Edveri, thotë Demi, e ka konkretizuar planin e shpopullimit dhe pjesë e këtij plani janë dhe marrja e punëtorëve nga vende të tjera.
Beti Njuma: Deklarata e djeshme e Elez Biberaj ishte shumë e ashpër. Është e qartë nëse do të ketë tjetërsim të vullnetit të shqiptarëve mund të ketë prishje të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA. A ka gjasa të ndodhë, duke pasur parasysh si është sjellë ambasadorja Kim?
Enkel Demi: Unë vë re një ndryshim qëndrimi të ambasadores në lidhje me maxhorancën në momentin që kuptoi që Edi Rama e përdori. E ka përdorur që ditën e parë që ka shkelur në këtë tokë. E ka përdorur që ditën e parë që zonja Kim ka shkelur në këtë tokë.
Beti Njuma: A është e vetëdijshme zonja Kim për këtë përdorje?
Enkel Demi: Uroj që të jetë bërë e vetëdijshme. Unë besoj se është inteligjente, nuk besoj që të jetë e marrë që të mos vërë re që reforma në drejtësi që ajo e mbështeti aq shumë është në funksion të Edi Ramës. Është shumë e thjesht sot kemi në zgjedhje drejtues të qarkut Vlorë Damian Gjiknuri, i cili është kapur në përgjigje duke manipuluar zgjedhjet dhe dhunuar ato me çunat problematikë.
Janë dy dosje voluminoze që SPAK i zonjës Kim nuk mori përsipër as ti shqyrtojë ndërkohë që DASH kërkon të kundërtën. Ajo çfarë thotë Biberaj duhej marrë seriozisht pasi ai nuk është opinion i një gazetari. Ishte një studim i mirëfilltë dhe analizë therëse e një pune voluminoze që bënte drejtori i EuroAzisë të VOA që është një zyrtar shumë i lartë i DASH.
Mesazhi i tij është i drejtëpërdrejtë. Nëse do të zbatosh metoda autoritariste e ke mbyllur me Amerikën pasi Amerika nuk ka ndërmend të ushqejë një Republikë Bananesh dhe as një instalim regjimi. Të njëjtën gjë ia kanë thënë dhe Europianët por me një gjuhë tjetër.
Këtu do kemi pak nga pak metamorfozën e liderit shumë të preferuar nga perëndimorët, ata do i shpallim armiq, nga një lider global në një lider lokal dhe emrin do ia bëjmë Edver.
Beti Njuma: Po ti referohemi bisedës që pati me një biznesmen në Shkodër, Kryeministri beson se do të qeverisë në të ardhmen bangladeshasit? Kjo është ëndrra e bukur e kryeministrit? Që Shqipëria të mbushet me Bangladeshas?
Enkel Demi: Duhet të bëjmë kujdes se po biem në kurthin që ai po ndërton. Duket se po biem brenda një diskursi racist, sikur e kemi problemin me shtetasit nga Bangladeshi. Ai ka një plan shpopullimi që e ka konkretizuar. Ndryshe nga Enver Hoxha ai nuk do të na mbyllë përkundrazi do të na thotë ikni. Në momentin që ne ikim, dikush do e zërë vendin për të punuar, ndërtuar pastruar paratë e këtij njeriu. Ky është plani i tij. Do i marrë nga Bangladeshi, Filipine, apo Kina kjo ka pak rëndësi. Këtu ka vite të tëra që ka punëtorë të huaj.
Është një korrupsion i madh që të ndërhysh në Ministrinë e Jashtme për tu dhënë viza e leje qëndrimi këtyre njerëzve. Këtë nuk e thotë njeri. Pasanikët nuk paguajnë vetëm rrogat e tyre por dhe zyrtarët për tu dhënë viza e leje qëndrimi. Është një rreth korrupsioni dhe trafiku njerëzor që bëhet përmes këtyre. Tani thjesht do ta zgjerojnë. Sërish do futet mafia brenda. Ju mendoni se ata punëtorë që do të vijnë nuk do i sjellë mafia?!
Kostoja e një punëtori të tillë shkonte në 500 $ në muaj. Një punëtori shqiptar po i dhe 500 $ në muaj të rri këtu nuk ikën në Gjermani. Këtu është një lojë goxha më e madhe por ai po na e shet në mënyrë populiste në mënyrë që të merremi në mënyrë populiste me qytetarët e Bangladeshit apo shteti tjetër. Po mundohet të na evidentojë edhe si popull racist.