Vëzhgimi i BOOM: Rrugët e shkatërruara në mes të Tiranës, qytetarët japin alarmin
Emisioni investigativ BOOM në RTV Ora këtë të enjte ka trajtuar çështjen e rrugëve të dëmtuara dhe të lëna në mëshirë të fatit në kryeqytet.
Janë me dhjetëra banorët që ecin mes baltës dhe pluhurit, por kjo nuk ka bërë që bashkia të veprojë.
Rruga “Bexhet Nelku”
"Rruga ka me vite kështu. Ja, futemi në ujë. Dalin kalamajtë luajnë, lagen. Nuk kanë ardhur ta shohin se merren me qendrën."
"Lëvizin me zor. Në vitin 2012 të jetë në këtë gjendje është katastrofë. Bashkia nuk e ka vënë ujin në zjarr."
"Unë sa vite kam këtu kështu e mbaj mend këtë rrugën."
"Është vështirë, ne me zor kalojmë. Bashkia të vijë të shtrojë rrugën se ne taksat i paguajmë."
Rruga “Havzi Nela”
Në po të njëjtën gjendje është edhe rruga “Havzi Nela” e cila vuan për investime prej vitesh tashmë.
"Nuk kanë vënë dorë asnjëherë. Nuk ka as trotuare. E gjithë rruga kryesore për faqe të zezë. Këtu nënat me karroce nuk kalojnë dot."
"Ne nuk duam asgjë, veçse rrugën dhe shkarkimet e ndriçimin."
"Këtu me zor lëvizim me makinë jo me fëmijë e me karroca."
"Bashkia nuk pyet për gjërat më elementare."
"Rruga shumë problem edhe për makinat se po e prishim."
"Ne nuk e njohim bashkinë, ajo vetëm për gjoba është."
"Ne këtë asfaltin e kemi bërë me kontributin tonë. Shteti nuk ka vënë fare. Këtu nuk ke as ku të ankohesh."
Rruga “Sabaudin Gabrani” nuk del nga tradita e rrugëve të prishura, me gropa dhe pa ndriçim në Tiranë.
"Mora taksinë telefon, me tha nuk vi dot aty se është rruga e keqe."
"Kjo nuk është pastruar asnjëherë. Na u shkatërruan edhe makinat."
"Këta marrin vetëm lekët dhe nuk bëjnë gjë. Kalojmë me siklet."
"Prishëm makinat. Behet një trafik i tmerrshëm, rrime 1 orë në trafik për kaq rrugë. Mezi kalojmë fëmijët për të ikur në shkollë."
"Bashkia të vijë të rregullojë rrugën. Këtu ke frikë të vish natën. Taksat i duan të gjitha ata."
"Këtu kur vjen në darkë mbytesh nga uji se nuk ka asnjë dritë. Veshim çizmet kur kalojmë."