Maturantët rikthehen në gjimnaze: Vendimi i duhur, do të na ndihmojë përpara provimeve
Pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve janë rikthyer në shkollë të gjithë maturantët në 10 bashkitë të cilat konsideroheshin zona me rrezikshmëri të lartë infeksioni.
Dyert e arsimit parauniversitar u hapën për të gjithë maturantët këtë të enjte.
Në prag të maturës shtetërore nxënësit shprehen se për shkak të rëndësisë së këtyre provimeve, rikthimi në klasa ishte vendimi i duhur.
"Jemi më të kënaqur normal se kemi më shumë hapësirë për të zhvilluar orën mësimore."
"Ishim shumë të kënaqur që u rikthyem në shkollë, çdo gjë është ndryshe kur je fytyrë më fytyrë me mësuesin".
"Verpim shumë i drejtë se duhet të përgatitemi për provimet e maturës."
Para kameras ata treguan edhe vështirësitë e mësimit online.
"Është e vështirë të kuptosh online siç kupton në klasë, është shumë problematike."
"Mësimi online ka vështirësitë e veta dhe problemet në lidhje me internetin."
Sipas tyre protokolli i sigurisë për masat anti-Covid është respektuar dhe procesi mësimor ka vijuar normalisht.
Vendimi për rikthimin e maturantëve në shkolla erdhi pas uljes së infektimeve për grupmoshat 15-20 vjeç si dhe me vaksinimin e arsimtarëve.