Arrestimi i Ardian Çapjas “sëmur” gjyqtarët në Elbasan, shumica paraqitën raporte mjekësore
Zhvillimi i masës së sigurisë ndaj Ardjan Çapjas, të arrestuar për vrasjen e babë e bir në 15 gusht 2012 në Elbasan, ka sjellë një fenomen të pa dëgjuar më parë.
Pjesa më e madhe e gjyqtarëve të gjykatës së Elbasanit, kanë paraqitur raporte mjekësore, me qëllim për të mos shkuar në punë dhe shmangur në këtë mënyrë përfshirjen e tyre në caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg" që kishin kërkuar dy prokurorët Kreshnik Ajazi dhe Ritvan Suka.
Burime për Ora News thanë se gjyqtarët Tomorr Kullolli, Bujar Musta, Taulant Tafa, Ramazan Avdia, Idush Maliqi, Matilda Fetahu dhe Miranda Konica kanë dashur të shmangin përballjen në spital me Ardjan Çapjan.
Ndërkohë kryetarja e gjykatës, nuk mund të hynte në këtë gjykim pasi është gjyqtarja e seancës paraprake në gjykimin në themel të dosjes.
Lexo edhe-Arrest me burg për Ardian Çapja, gjyqtarja priti ti dilte narkoza, rrethohet spitali
Ditën e sotme ka qenë gjyqtarja Pajtime Fetahu e gatshme, e cila është paraqitur në ambjentet e Kardiologjisë në Tiranë, aty ku u zhvillua masa e sigurisë kundër Ardjan Çapjas.
Arrestimi i këtij të fundit është realizuar me urdhër-ndalim të firmosur nga dy prokurorët Ajazi dhe Suka, të cilën kishin preferuar të shmangnin gjykatën për sa i përket arrestimit të tij.
Por duke qenë se arrestimi i Çapjas ishte kryer me urdhër-ndalim, procedura e kërkon që masa të zhvillohej nga një gjyqtar i gatshëm i kësaj jave.
Mësohet se pjesa dërmuese e gjyqtarëve kanë paraqitur raport mjekësor me qëllim për të shmangur përfshirjen e tyre në dhënien e masës së sigurisë për Ardjan Çapjan.