Koka: Njerëz të lidhur më botën e krimit dhe pushtetin po derdhin para për vjedhjen e tjetërsimin e votës

Në një intervistë për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, gazetari Bledian Koka u shpreh se fleta e votimit që është miratuar ditën e sotme është më e qartë për të mos krijuar vota të pavlefshme.

Sipas Kokës, kjo fletë me emra hap rrugën edhe për një minigarë mes kandidatëve në një parti për të marrë sa më shumë vota për ta thyer herësin në një qark të caktuar.

Koka: Mendoj se fleta e votimit që është miratuar ditën e sotme është më e qartë për të mos krijuar vota të pavlefshme. Sigurisht si fletë në zona si Tirana paraqet një vështirësi sepse ka shumë mandate, por në zona të tjera ku ka shumë më pak mandate fleta do të jetë shumë më e menaxhueshme. Mendoj se emrat i përgjigjen edhe asaj pak hapje listat me ndryshimet e 5 qershorit. Prandaj mendoj se ishte zgjidhja më e mirë sepse e bën fletën më të kuptueshme dhe ngre shumë më pak pretendime në raport me votat. Numrat do të ishin një lloj fshehje të kandidatëve ose si një lloj bingoje me këta numra.

Vota e partisë është aty dhe është e sigurt, por nga ana tjetër shton edhe punën e kandidatëve. Sigurisht që kjo do të ishte më mirë sikur listat të kishin qenë të hapura plotësisht. Mendoj se kjo garë e vogël në mes kandidatëve qoftë edhe brenda partisë, është një gjë e mirë. Lufta për të fituar dhe për të shkuar te elektorati gri është akoma më e madhe dhe ata janë aty për ta. Kjo e vështirëson punën e një kandidati, ndryshe nga ajo që ndodhte më parë ku kandidatët rrinin si parazitë në listë dhe merrnin votat e partisë. Ka shumë kandidatë që janë poshtë partisë dhe mund ta shtyjnë atë herësin dhe të futen në listën e mandatave. Kjo është një lloj minigarë dhe nëse do të kishte qenë shumë më e madhe do të ishte interesante gara në një qark.

Koka, nga ana tjetër shtoi se në terren ka filluar procesi i blerjes dhe tjetërsimit të votës dhe përmendi se SPAK-u duhet të ketë nisur punën së paku për ta parandaluar këtë fenomen.

Koka: Mua  më shqetëson fakti që opozita akoma nuk ka denoncuar raste të shit-blerjes së votës, sepse nga raportimet në terren vijnë informacione për blerjen dhe tjetërsimin e votës. Dosjet e  vjedhjes së votave janë aty dhe fonemeni është aty, nuk është se është zhdukur. Unë nuk mund t'i kërkoj SPAK-ut që të parandalojë vjedhjen e votës, por shpresoj që ata ta kenë nisur punën për parandalimit të votës. Shpresoj që ato mekanizmat e përgjimit të mos përdoren vetëm për të përgjuar opozitën dhe ndërkombëtarët, por të përdoren edhe për përgjimin e vjedhjes së votës. Aty ku nuk blihet vota bëhet presioni nga Rilindja ose përdoren shantazhe. Situata nuk është aspak e mirë sipas raportimeve tona. Ka shumë njerëz të fortë dhe të njohur, të lidhur më botën e krimit dhe pushtetin që po derdhin paratë për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës.