"Vaksinimi për fushatë elektorale? Rama: Ça më duhet mua çfarë thotë opozita

Kryeministri Edi Rama ishte sot paradite në Shkodër për të monitoruar nga afër procesin e vaksinimit masiv.

Në një prononcim për medien Rama u shpreh optimist se brenda majit do ia arrijë objektivit të vaksinimit të gjysmë milioni qytetarëve.

“Jemi të lehtësuar që po u shërbejmë në kohë reale të moshuarve duke u kthyer buzëqeshjen dhe dhënë mundësinë të dalin lirisht nga shtëpia për pak kohë. Do të vazhdojmë lirisht pa u ndaluar për të vazhduar objektivin e vaksinimit të gjysmë milioni brenda muajit maj. Besoj se mund ta tejkalojmë me ritmet dhe falë organizimit fantastik nga ministria e Shëndetësisë."

Madje duke bërë një krahasim me homologët e vendeve të rajonit ndihej krenar pasi ambicia e tij për të lehtësuar sezonin turistik do të arrihej.

“Sot mund të them që do ia dalim më shpejt e më mirë se shumë të tjerë në këtë continent. Kjo është një arsye për të qenë krenar sepse nuk ishte e lehtë, ndërkohë që shikoni vende të tjera të rajonit akoma nuk po çajnë dot dhe janë me dozat simbolike të marra këtu e atje por nuk futen në vaksinimin masiv."

Ne jemi futur në vaksinim masiv e nuk do të ndalemi. Ambicia për ta lehtësuar sezonin turistik është objektiv i arritshëm”

Kur gazetarët e ngacmuan duke e pyetur nëse po e shfrytëzonte vaksinimin Rama për fushatë zgjedhore, siç e akuzon opozita? Rama u përgjigj i prerë: “Po ça më duhet mua çfarë pretendon opozita”

Pas sheshit "Skënderbej" pritet që dhe "Air Albania" të jetë një qendër vaksinimi.

Ndërkohë që premtimi për ujin e pishëm 24 orë në çezma është i njëjtë si 8 vite më parë kur erdhi në pushtet.

Gjatë qëndrimit në Shkodër Rama shijoi dhe një kafe me kandidatët për deputetë të PS-së në një nga lokalet në qendër të këtij qyteti.

Ndërkohë më herët Rama ishte dhe në Vau i Dejës ku dhe atje monitoroi fushatën e vaksinimit.