Gjyshërisht në radhë për vaksinën tek sheshi, do vijnë dhe 20 mijë vaksina Pfizer brenda prillit

Prej katër ditësh grupe të moshuarish mbushin sheshin “Skënderbej” për të bërë vaksinën.

Aty janë vendosur karrige në mënyrë që të mos presin në këmbë. Kryeministri Rama para dy ditësh, postoi një foto te tyre,  me diçituren “Zemra Mal”. 

Por të moshuarit nuk kanë të njëjtën ndjesi, pasi  pritja për një dozë nuk zgjat vetëm me orë, por edhe me ditë.

"Në orën 9, po me kaq njerëz as në 9 të darkës nuk mbarojmë. Kjo është skandal fare," thotë një e moshuar.

"Pse ku jemi këtu, në radhën e qumështit?" thotë një tjetër.

Por kush tallet në të vërtetë me këtë moshë? Vete pensionistët kanë dijeni për protokollin dhe e ndjekin atë në mënyrë strikte.

"Tallen me ne, se jemi pleq," thotë e  moshuara.

Kaosi me procedurat nis nga qendrat shëndetësore. Mjekët e familjes në shumë raste u japin rekomandimin por jo orarin dhe ata vijnë që në mëngjes në shesh .

"Po shkoni në mëngjes që të zini radhën na thanë," thotë e moshuara.

"Orë nuk më thanë," thotë një tjetër.

Disa prej tyre kanë marrë orar, por në tenda ku injektohen vaksina ne shesh, u thonë të presin. Ata presin, pa marre dozën dhe vijnë sërish te nesërmen.

"Më thanë në orën 9 duhet të jesh aty. Erdha dhe dje, dje kishte shumë erdha prapë sot," thotë një tjetër i moshuar.

Kjo nënë thotë se banon larg dhe e ka të vështirë të vijë sërish në qendër ndaj dhe ka vendosur të presë.

"Po do pres se ku të vete dhe të vij prapë se pleqëria nuk bën dot punë që të vejë dhe të vijë. Jam në Kinostudio kështu që do pres," thotë nëna.

Ndërkohë po këtë të mërkurë ministrja e Shëndetësisë ishte në shesh, por nuk foli për lehtësimin e  vështirësive të të moshuarve qe presin e raportoi vetëm për numrin e vaksinave që do të sjellin javën e parë te prillit.

https://youtu.be/QlcJDiUibrA

20 mije vaksina te tjera
Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se brenda muajit prill do të vijnë edhe 20 mijë doza të vaksinës Pfizer.

“Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac”, bëri me dije Manastirliu.

Për tre ditë radhazi janë kryer mbi 50 mijë vaksinime dhe procesi do të vijojë në qendrat e përqendruara por edhe qendrat shëndetësore kudo në vend.

Shqipëria ka marrë një numer te madh vaksinash Sinovac nga Turqia dhe ka marrë 20% të vaksinave, nga 1 milion doza që pritet të mbërrijnë.
Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.

Ora News po ndjek nga afër procesin e vaksinimit dhe do të vijojë me një kronikë të përgatitur nga gazetarët e redaksisë.