Hajdutët kërcënojnë rojën në një firmë uji në Lushnjë, marrin një sasi të konsiderueshme parash
Vala e ngjarjeve kriminale ka prekur edhe Lushnjën.
Një firmë e ambalazhimit të ujit u grabit gjatë natës në fshatin Zhamë Sektor.
Sipas policisë autorët ishin të paktën dy persona, ende të paidentifikuar.
Ata kanë arritur të futen brenda ambienteve të fabrikës ku duke kërcënuar rojën kanë arritur të marrin një sasi lekësh nga xhiroja ditore.
Në dëshminë e parë, roja i objektit ka thënë se hajdutët kishin në dorë një send që ai nuk arriti ta dallojë nëse ishte shkop apo armë, ndaj nën kërcënim nuk ka bërë rezistencë.
Policia e Lushnjës pasi është njoftuar ka krehur zonën dhe ka ngritur postblloqe, por ka dështuar të bjerë në gjurmët e autorëve.
Grupi hetimor u rikthye në vendngjarje edhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në kërkim të gjurmëve nga autorët e grabitjes.
Javët e fundit kanë shënuar një rritje të ngjarjeve të rënda kriminale, me sulme ndaj personave apo pronës.