Basha shfaqet mbi dëngun e kashtës dhe u premton fermerëve: Do të jeni “kulakë të pasur dhe krenarë”
Si asnjëherë tjetër, kreu i demokratëve Lulzim Basha u shfaq sot u ulur mbi një deng kashte teksa zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë të Roskovecit.
Në distancë nga njëri-tjetri, edhe banorët ishin pozicionuar ca mbi dëngje e të tjerë të ulur në tokë.
Basha u premtoi ndihma me subvencione, shtim të infrastrukturës, por edhe ulje të çmimit të naftës.
Sipas Bashës, synimi i tij është t’i kthejë të gjithë fermerët në “kulakë të pasur dhe krenarë”.
Basha: Do heqim taksën për naftën, do të japim subvencione që do ulin koston e prodhimit dhe fermeri do ta nxjerri domaten në treg me çmim të përballueshëm për konsumatorin. Do ju mbështesim të eksportoni prodhimet tona. Kjo është bërë më parë, por më pa s’ka rënë, kjo që nga trau në Rrugën e Kombit, çmimi i naftës. ndaj nuk mund të pranojmë më që një grusht njerëzish të pasurohen, ndërsa gjysma e njerëzve që jetojnë me tokën, të varfërohen. Përkrahja e fermerit shqiptar, është ndryshimi më domethënës që do shikoni pas 25 prillit. Fermerët e këtij vendi ju duhet vetëm pak përkrahje për të qenë edhe më të zotë se fermerët e tjerë. Ndaj kam besim se do të arrimë së bashku shumë më shumë se sa na e pret mendja.
E ardhmja jonë është Europa, që di t’i vlerësojë prodhimet cilësore. Kur ne jemi angazhuar seriozisht, kemi bërë të mundura gjëra të pamundura. Nuk do ta ndal punë time deri sa të bëjmë realitet Shqipërinë anëtare të BE dhe disa prej përftimeve që vijën nga kjo janë ato për fermerët. Ne kemi humbur shumë mundësi, sepse kryeministri në ikje nuk e ka patur mendjen të thithë këto investime. Dikur quheshin kulakë, me përbuzje, sepse fermerët shqiptar ishin punëtorë dhe prodhonin. Nuk kishin nevojën ti shtrinin dorën as qeverisë. Ambicia ime është t’i kthej të gjithë fermerët shqiptarë në kulakë të pasur dhe krenarë.
Kryetari i Opozitës tha se nuk ka në mend të merret me sulmet e Ramës por me hallet e qytetarëve.
Basha: Ka nisur një fushatë ku vetëm shan nga mëngjesi deri në darkë. Unë nuk do t’i përgjigjem dhe dua që askush prej jush mos të ketë asnjë dyshim pse nuk i përgjigjem. Jo se nuk di t’i përgjigjem, po sepse nuk dua të harxhoj më kohën tuaj. Nuk dua të harxhoj më kohën e këtij populli me një politikë boshe që ka 8 vite që vjedh, mashtron dhe kur vjen dita për t’u larguar përpiqet të largojë mendjet e njerëzve nga dështimet e tij duke sulmuar kundërshtarin politik. Unë nuk do t’i përgjigjem!
Çdo sekondë timen deri më 25 prill, nuk kam më punë me të. Ai është e shkuara. Unë kam vetëm me ju. Kam punë me njerëzit e këtij vendi, me hallet tuaja, me dëshirat tuaja, me planet tuaja, me ëndrrat tuaja dhe të fëmijëve tuaj. Dalin e teprojnë për një njeri të përgjegjshme, për një politikan të përgjegjshëm dalin e teprojnë hallet e shqiptarëve për t’u marrë nga mëngjesi deri në darkë e s’kam nevojë të merrem më me të e s’dua të merrem me të. Dhe kjo është ftesa që kam nga gjithsecili prej jush. Ky është fundi i tranzicionit!