Arrestimi i Ardian Çapja, në shtëpi i gjejnë 5 radio policie, kallashnikovi çohet për ekspertizë

Këto pamje tregojnë aksionin e forcave Speciale RENEA që vuri në pranga 53 vjeçarin Ardian Çapja, i njohur edhe me mbiemrin Çopja, me akuzën e përfshirjes në vrasjen e babë e bir Nezir e Gentian Beqiri në vitin 2012.

Në banesën e tij  gjetën këtë automatik kallashnikov dhe edhe 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Arma mësohet se do të dërgohet për ekspertizë me qëllim zbulimin nëse është përdorur në ngjarje kriminale në vitet e fundit në qytetin e Elbasanit.

"Gjatë kontrollit të banesës së 53-vjecarit Çopja, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të Policisë," informoi policia.

"Mëngjesin e djeshëm, RENEA, DVP Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Krasta 2021", në kuadër të të cilit u vu në pranga Ardian Çopja, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012."

Në banesën e tij, në momentin e kapjes, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov.

Një ditë pas operacionit “Krasta 2021”, Policia konfirmoi raportimin e Ora News se brenda kompleksit të fisit në periferi të Elbasanit u arrestua edhe Ardi Çekani.

Lexo edhe: Vrasja babë e bir në Elbasan, RENEA arreston Ardian Çapjan dhe shpall në kërkim Florenc Çapjan

Ky i fundit rezulton person në kërkim i dënuar për disa vepra penale ndërsa në kohën kur u vu në pranga iu kap një sasi hashashi.

Policia thotë se Çekani strehohej pranë banesës së Çapjes, por burimet thonë se ai shërbente si roje e familjes që ndër vite ka qenë disa herë objektiv i sulmeve.

Aktualisht policia thotë se vijojnë kërkimet për ndalimin e Florenc Çapjas, ndërsa burimet shpjegojnë se ai kishte dalë jashtë territorit Shqiptar, përpara se finalizohej operacioni policor në kompleksin e banimit të familjes në periferi të Elbasanit.

Ardian Çapja, i konsideruar si kreu i fisit, pritet të dalë në vijim para gjykatës për të njohur me akuzat për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit

Ky  i fundit në atë kohë 35 vjeç dyshohej se ishte i përfshirë në vrasjen e Sokol Çapjes, krim që shënoi nisjen e një sage hakmarrjes mes fiseve në Elbasan që në 16 vite ka shkaktuar disa viktima.

https://youtu.be/t1hvR_4ojM4