Thirrja e Yuri Kim, Hoxha: Siç është ngatërruar krimi në lista, populli e ka të pamudur të ndajë krundet nga mielli
“Mos ia dorëzoni fuqinë tuaj kriminelëve. Vetëm JU duhet të zgjidhni të ardhmen tuaj”.
Kjo ishte thirrja e përsëritur e diplomates amerikane në vendin tonë Yuri Kim për zgjedhjet e 25 prillit, teksa deklaroi se do të jetë edhe vetë në terren për të monitoruar nga afër procesin ditën e zgjedhjeve.
Gazetari, Poli Hoxha, e lexon si një dorëzim të Ambasadores, pasi thirrja e saj drejtuar krerëve të partive për lista të pastra ra në vesh të shurdhër.
I ftuar në Rtv Ora, ai thotë se mënyra si është ngatërruar krimi në listat e kandidatëve është shumë e sofistikuar dhe nuk mundet populli në gjithë atë thes të arrijë të ndajë krunden nga mielli.
Poli Hoxha: Ambasadorja në fillim u drejtohej partive, tani popullit. Ua ka bërë të qartë kryetarëve se do të mbajnë përgjegjësi personale. Ditën e sotme ajo mori spunto nga një njoftim i kreut të KQZ, Celibashi. Duket një farë dorëzimi sikur nuk është dëgjuar dhe aq shumë nga partitë.Mënyra si është ngatërruar krimi në lista është shumë e sofistikuar dhe nuk mundet populli në gjithë atë thes të arrijë të ndajë krunden nga mielli sepse disa personazhe në këto lista janë dhe të kamufluar. Në çdo qytete të thonë ky është i filan grupi, ky mbulohet nga filani, ky mbështetet nga ky. Mund të jenë emra të pastër por po mbështeten nga krimi. Ambasadorja nuk arriti as në emra të përveçëm që përmendi.
Lexo edhe- Celibashi thirrje qytetarëve: Denonconi rastet korruptive të shit-blerjes së votës
Hoxha paralajmëron tjetërsim të votës edhe në këto zgjedhje, teksa tregon mënyrat sesi është sofistikuar ky proces që në gjykimin e tij ka nisur me kohë dhe vijon dhe sot që flasim.
Poli Hoxha: Nuk mund të shpresojmë pas 30 vitesh tjetërsim dhe zhvleftësim, është krijuar një ambjent që nuk ka vlerë vota as te ai që e posedon, te qytetari. Patjetër që do të ketë tjetërsim. Ka filluar ky lloj tjetërsimi. Mënyra tradicionale që jemi mësuar ka qenë ditën e zgjedhjeve, te kutitë e votimit, komisionerët që kanë bërë pazar, të fortët që kanë bërë presion, marrja e kartave të identitetit për ata që nuk duhet të votojnë. Tani fillon blerja e votës që brenda në familje, në shtratin bashkëshortor, te shkolla e fëmijës, biznesi i vogël. Blerje është dhe mënyra si po bëhet fushata e vaksinimit.
Pse papritur gjithë ky trafik? Në çdo qoshe janë hapur punimet, në çdo rrugë. Shoferi juaj që më solli këtu tha se kishim një rrugë të shkurtër por sot e hapën. Ka nisur asfalti elektoral. Vetëm për një periudhë 6 mujore është shtuar administrata me 30 mijë persona, një pushtet lokal i tejfryrë. Ka dhe një presion të jashtëzakonshëm në kuptimin e mirë për falje gjobash nga tatimorët, sidomos biznesit të vogël. Ka filluar pagesa e listave të dyqaneve. Të gjitha këto mund të mos i quajmë vjedhje por është e sigurt që çojnë në shtrembërim të vullnetit të votës.
Opozitë e shikon të mefshtë në denoncimin dhe parandalimin e shitblerjes së votës.
Poli Hoxha: Shikoj një mefshtësi në këtë drejtim, këtë radhë opozitës nuk do t'ja pranojë më alibinë na vodhën votat. Paloka ka thënë se kemi një plan, nuk po e shikojmë. Vetëm Presidenti ka hapur një platformë online. Opozita duhet me patjetër të bëjë një monitorim të rreptë, unë e di që po i kapën do ti kapin televizionet. Tjetërsimi i votës është bërë më i sofistikuar.
Sipas tij opozita e ka marrë të mirëqënë rrotacionin dhe nuk ka një betejë vendimtare nga ana e saj për të siguruar fitoren në 25 prill.
Poli Hoxha: Këtyre më e thjeshtë u duket që meqenëse ekziston rrota do të ndodhë dhe rrotacioni. Jo rrota duhet shtyrë. Nuk shoh një entuziazëm dhe frymë të një beteje që është shumë vendimtare.
Lexo edhe- Kolegji Zgjedhor vendos: PD-së i hiqen 69 emra nga lista e kandidatëve
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana