Basha dhe Meta mesazh për 30- vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë një mesazh në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në.

Ai shpreh mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Shqipërisë.

Lexo edhe: Në 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, mesazhi i rëndësishëm i ambasadës amerikane

"30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mundësi e shkëlqyer për çdo shqiptar, për tu ndier krenar për arritjet e mëdha që Shqipëria ka bërë falë mbështetjes së SHBA dhe veçanërisht anëtarësimin e saj në NATO dhe pavarësinë e Kosovës.

Ne nuk duhet të harrojmë kurrë dhe duhet të jemi gjithmonë mirënjohës. Ne do të punojmë së bashku me partnerin tonë strategjik, SHBA, që dekada e re të jetë dekada e konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe e mirëqenies së gjithë shqiptarëve."

Edhe Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh në rrjetet sociale. Meta shprehet se kjo datë historike shënon edhe një moment për të nderuar ata shqiptarë që sakrifikuan jetën duke besuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Kreu i shtetit shton se kjo ngjarje i frymëzon shqiptarët për parimin e çdo shoqërie demokratike që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

"Shqiptarët kujtojnë sot me gëzim dhe krenari rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA.

Kjo datë historike, për ne shënon edhe një moment për të nderuar ata mijëra shqiptarë, të cilët sakrifikuan jetën e tyre duke besuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë, të evokuara nga ky vend i madh.

Kjo ngjarje e shënuar i frymëzon dhe u forcon shqiptarëve edhe më shumë besimin në parimin themelor të çdo shoqërie demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme."