Meta: Sa herë ta ftojnë Presidentin në beteja, aty do e kenë me gjithë popullin e Shqipërisë
Presidenti Ilir Meta këtë të hënë në konferencën e tij për mediat ka thënë se në Shqipëri janë dy institucione garante, Presidenti dhe Populli shqiptar.
Ai është shprehur i gatshëm të jetë në çdo betejë ku do ftohet së bashku me popullin shqiptar.
Pyetje: Zoti President konflikti politik por dhe social tashmë duket evident. U pa tek zyrat e FRD-së ku ju ishit prezent, u pa dhe një ditë më parë në Elbasan në përplasjen mes mbështetësve të PD-PS.
Gjuha e ashpër dhe dalja hapur e juaja, kryesisht me kritika kundër kryeministrit dhe qeverisë a do ta lejë vendin pa një institucion garant që mund të ndikojë në stabilitetin politik.
Meta: "Janë dy institucione garante, është Presidenti i Republikës si simbol i unitetit kombëtar dhe Kushtetutës e cila bazohet në pluralizmin politik dhe jo në partinë shtet dhe e dyta është populli i Shqipërisë, pa dallim i majtë dhe i djathë. Përballë nesh është një bandë ndërkombëtare dhe një bandë lokale që ka marrë përsipër të pastrojë paratë e "Ndraghetas" dhe të gjithë mafies ndërkombëtare. Kaq! Duke shtypur dhe duke dhunuar popullin e Shqipërisë. Sa herë ta ftojnë Presidentin në beteja aty do e kenë po me gjithë popullin e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të gjithëve të reflektojnë sa nuk është vonë."