Rama mbron taksën progresive dhe sulmon opozitën: Shqipërinë e kanë çuar për lesh dhie sa herë u ka rënë në dorë

Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama, mbrojti sërish taksën progresive të socialistëve dhe sulmoi taksën e sheshtë, e cila vjen si propozim i demokratëve dhe opozitës.

Në aktivitetin e PS për zgjedhjet e 25 prillit me temë "pagat, taksat dhe biznesi në Planin e Veprimit 2021-2025", Rama iu referua shifrave për të treguar se sa humb arka e shtetit nga taksa e sheshtë.

Rama: A e dini sa kanë paguar 100 bizneset më të mëdha për shtetin, për shoqërinë gjatë qeverisjes sonë falë heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksës progresive? 460% më shumë nga sa paguan kur në qeveri ishin këta që duan të rikthehen me taksën e tyre të sheshtë. Nga 2006-2013 ata kontribuan për shtetin me taksën e sheshtë vetëm 86 milionë dollarë ndërsa nga 2014-2019 me taksën progresive i paguan shtetit 481 milionë dollarë. Tani vjen dhëndri i Saliut dhe Ilirit me qesen e Monikës dhe me taborin e uritur të krushqve dhe me rikthimin e taksës së sheshtë premton dhe në fakt u fal 200 milionë dollarë nga arka e shtetit. Pastaj kismet si ndahet ky 200 milion dollarëshi që në një mandat avullon për të pikuar mes tyre dhe pushtetit. Në vend që të shkojë për investime publike dhe për rritje pagash.

Mesazhin e adresoi kryesisht për mbështetësit e opozitës.

Rama: Njerëz do ta kuptoni apo nuk do ta kuptoni dhe kur do ta kuptoni? E kam me të gjithë ata që u shkojnë atyre pas, këta nuk janë as për ju dhe as për Shqipërinë por janë për xhepin  dhe rrethin e tyre siç kanë qenë gjithmonë sa herë u ka rënë Shqipëria në dorë dhe e kanë çuar për lesh dhie.

I bindur se ka shumicën e qytetarëve pas, Rama nuk kurseu ironinë për Agron Dukën.

Rama: Kushdo që të përfundojë si pulat e Gon Dukës që rriten me drita artificiale dhe përfundojnë për mish tavoline le të rrijë pakicë me pakicën. Sepse ne do të vazhdojmë të jemi me shumicën dhe për shumicën.

Rama tha se fuqizimi ekonomik i vendit është një proces i gjatë, ndaj kërkoi kohë dhe durim nga qytetarët.

Ndërkaq kundërshtarët politikë i paralajmëroi se nuk do ta kenë një shans të ri për të kthyer kohën e tyre.

Rama: Rritja e ekonomisë dhe fuqizimi i çdo familje ekonomikisht është një proces që kërkon kohë, kërkon mund, kërkon durim por që siç na ka mësuar historia duhet përballuar kështu siç është sepse përndryshe gropat e iluzioneve janë shumë të mëdha dhe me pasoja shumë të rënda të cilat i paguajmë të gjithë për shumë vite. Ajo kohë ka ikur dhe ata që duan të kthehen bashkë me atë kohë nuk kanë shans të marrin një shans të ri.