Nis vaksinimi i mësuesve në vend, në Durrës pritet të fillojë të martën
Pas mjekëve dhe infermierëve, në Shqipëri ka filluar procesi i vaksinimit për mësuesit, edukatorët dhe personelin mbështetës të cilëve do t’u injektohen 38.400 dozat që erdhën si furnizim i parë nga Astra Zeneca.
Nuk kanë munguar as ata që e panë me skepticizëm vaksinën. Nga rreth 900 antarë të stafit pegagogjik në qarkun e Lezhës, afro 20% prej tyre kanë refuzuar injeksionin.
"Jo të gjithë mësuesit janë shprehur të gatshëm që ta bëjnë vaksinën sot."
Të tjerë janë drejtuar në Gjimnazin “Hydajet Lezha” që është kthyer edhe në qendër vaksinimi.
"Duam ta bëjmë, po a është vaksinë e saktë siç e ka e gjithë bota. Unë kam ardhur ta bëj."
1000 doza të Vaksinës kanë mbërritur edhe në Kukës të hënën.
Krahas mjekëve dhe të moshuarve, edhe në Vlorë pritet që të vaksinohen 1800 mësuesit e këtij qarku.
"Ky është një proces që sapo ka filluar dhe do të vazhdojë me ritme të shpejta. Aktiviteti do të bëhet nga qendrat shëndetësore që mbulojnë shkollat."
Në Korçë, 2 mijë dozat e mbërritura, do të përdoren për vaksinimin e mësuesve dhe të moshuarve.
250 mësues do të vaksinohen në Devoll, dhe 750 në Pogradec.
"Vaksina u vendos nga Drejtoria Arsimore që të aplikohet në dy shkolla. Njëkohësisht dhe paralelisht me arsimtarët do të jetë dhe vaksinimi për moshën e tretë."
Në Elbasan dhe në Durrës, vaksinimi i mësuesve pritet që të nisë të martën.