Me pistoletë në makinë, shkodrani xhiron gomat për ti ikur policisë, arrestohet
Policia e Shkodrës ka arrestuar një 41-vjeçar i cili qarkullonte me armë zjarri në automjet.
Në pranga ka rënë shtetasi R. D., banues në lagjen "Perash", i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Nga policia bëhet me dije se i arrestuari ka tentuar të largohet me shpejtësi sapo efektivët e kanë sinjalizuar që të ndalojë.
"Ky shtetas, duke drejtuar mjetin “Range Rover”, kur ka parë punonjësit e Policisë që i kanë bërë shenjë për të ndaluar, nuk i është bindur urdhrit të tyre, por ka tentuar të largohet me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë".
Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë bllokuar mjetin në qendër të Parrucës, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, si dhe kanë prangosur 41-vjeçarin.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në mjetin tip “Range Rover”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.