Sherri për zyrat e FRD, Meta: Bashkia e Tiranës nuk mund të bëjë vetëgjyqësi, ti drejtohet gjykatës

Incidenti i regjistruar në zyrat e FRD-së nxori sot në një konferencë për mediat Kreun e Shtetit, Ilir Meta, për të sqaruar të gjithë përplasjen me policinë bashkiake.

Meta akuzoi kreun e bashkisë Tiranë dhe administratën e tij për shkelje hapur të ligjit.

Meta: Ky sulm bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës. Të gjitha veprimet e kryetarit të bashkisë dhe administratës së tij ndaj FRD janë kryer në kundërshtim të hapur me ligjin.

Presidenti risolli edhe njëherë në vëmendje dinamikën e kësaj  ngjarje.

Meta: Në ambientet e FRD, në korridoret e saj ishte ngjitur diku një letër pa emër titullari, pa vulë, pa numër protokolli e datës 3 mars me qëllim që ta bënin të duket si akt zyrtar për të justifikuar veprimet e dhunshme dhe arbitrare që do të ndërmerreshin. Më pas FRD i është shkëputur energjia dhe punonjës të policisë bashkiake kanë bllokuar hyrjen e anëtarëve të FRD, ndërsa kryetari dhe drejtues të tjerë ishin bllokuar brenda.

Ai tha se FRD nuk ka zaptuar asnjë pronë publike siç pretendonte akti i bashkisë Tiranë.

Meta tha se kjo forcë politike kishte marrëveshje ligjore me Bashkinë prej 5 vitesh për shfrytëzimin e këtyre ambienteve.

Sipas Metës, Bashkia Tiranë nuk ka asnjë autoritet ta zgjidhë me vetëgjyqësi këtë çështje, por duhej ti drejtohej Gjykatës Administrative të Tiranës.

Meta: Çdo veprim tjetër i kryer për lirimin e ambienteve jo vetëm është i paligjshëm por përbën vepër penale dhe shpërdorim detyre.

Vetëm pas presionit mediatik, Meta tha se Bashkia e Tiranës i ka dorëzuar me 13 mars FRD një shkresë që plotëson kushtet e një akti administrativ, ku kërkohet lirimi i ambienteve brenda 10 ditëve por nuk i referohen kësaj marrëveshje.