Premtimet e Ramës: Në fund të mandatit paga minimale 40 mijë, më 1 janar 2022 hiqet taksa mbi pagën

Nëse Edi Rama do të arrijë të bëjë realitet ëndrrën e tij për një mandat të tretë qeverisës, atëherë programi elektoral i PS-së do të nisë të përmbushë premtimet vitin e ardhshëm. Për të fituar vota nga shtresa e mesme, qeveria premton se në 2022 do të rishikohet taksa progresive, duke ndryshuar fashën e taksimit.

"Ne do ta heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lekë, 23 % taksës mbi pagën për të gjithë ata që arrin deri në 2.5 milion në muaj," tha Rama.

Rama para zgjedhjeve, për 4 vitet e ardhshme premtoi rritje pagash, por pa afat të përcaktuar.

"Ne jo vetëm do të shënojmë pagën minimale 400 mijë lekë, por në mamdatin e tretë pagat e mësuesve do të rriten 40% më shumë dhe po ashtu 40% më shumë do rriten dhe ato të bluzave të bardha," vazhdoi Rama.

Edhe pse prezantimi 4 vjeçar i planit të punës u bë me stilin e një lideri të një qeverie  prej 8 vitesh në pushtet, në përmbajtje, fjalimi ishte prej një politikani në opozitë që sulmon programin e kundërshtarit politik.

"Taksa e sheshtë e propozuar nga KÇK-ja është rreziku më konkret. Ata pa pikën e turpit ju fusin duart më thellë në xhep duke lënë nga ana tjetër në xhepin e atyre që pikërisht me llafe i kanë bërë copash si shokët e mi oligarkë," tha ai.

Kryeministri pasi e ka studiuar programin qeverisës të Lulzim Bashës, ka arritur një përfundim krahasimor me planin e tij 4 vjeçar.

"Tonat janë masa të studiuara dhe të planifikuara për t'u zbatuar nga qeveria ime, ndërsa të tyret janë premtime të lëshuara për t'i marrë era e vjeshtës së parë në qeverisjen e Lulit, Saliut, Ilirit, Monikës, Shpëtimit, Dashit, Mediut, Dules, Dukës, Nard Ndokës dhe Palokës e të tërë çufove e bubave kaçurrel.

Programi i tyre elektoral është një menu, një menu dëshirash të miletit, të hajë kush të haje," tha Rama.

Pasi dështuan me amnistinë fiskale, ku sipas mazhorancës, synohej t’i vihej në ndihmë “parave të zeza” të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, tashmë qeveria ka një tjetër premtim, 5 mijë euro grant për çdo emigrant që investon në Shqipëri.