Varfëria “rrit” analfabetë, fëmijët rom të klasave të pesta në Fier nuk dinë të shkruajnë as të lexojnë

Rreth 44 mijë shqiptarë sipas UNICEF janë analfabetë që nuk dinë të shkruajnë e as të lexojnë. Ora News ishte në komunitetin rom në Fier ku konstatoi se nxënës të klasave të pesta janë analfabetë.

Kjo nxënëse shkon në klasën e pestë, ndërsa në dorë mban një libër, që nuk e di çfarë lënde është.

"Libër i klasës së pesë, nuk e di çfarë libri është. Nuk di të lexoj, nuk kam mësuar asgjë."

Në kushte analfabetizmi ndodhen edhe dhjetëra fëmijë të tjerë të komunitetit rom në Fier.

"Nuk di të lexoj."

Prindërit e tyre thonë se edhe vetë janë pa arsmimin, ndërsa janë detyruar që ta lënë atë për shkak të kushteve ekonomike.

"Gjendja ekonomike katastrofë, kam bërë klasën e  dytë se nuk kisha mundësi."

Ata e pranojnë se fëmijët e tyre nuk dinë as të shkruajnë e as të lexojnë.

"Nuk dinë të lexojnë dhe as të shkruajnë."

Përfaqësuesi i komunitetit rom në Fier, thotë se varfëria është një ndër shkaqet kryesore që i ka lënë të paarsimuar këtë komunitet.

"Romët në përgjithësi janë në kushte të vështira ekonomike."

Hedhin edhe akuza për diskriminim.

"Prindërit jo rom që kanë fëmijët atje nuk duan ti bashkojnë me fëmijët rom në një klasë."

Sipas një raporti të fundit të UNICEF që i referohet vitit 2018, në Shqipëri numërohen 44 mijë analfabetë mbi moshën 15 vjeç, ndërsa detajet e këtij raporti tregojnë se analfabetizmi është i përhapur më së shumti në komunitetin rom dhe në personat më aftësi të kufizuara.