Marrëveshja për patentat, Xhaçka nga Italia: Firmoset javën e ardhshme në Tiranë
Shqipëria ka arritur dakordësinë me Italinë që lejet e drejtimit të mund të përdoren edhe në këtë shtet. Ministrja Olta Xhaçka njoftoi pas takimit me homologun italian se marrëveshja do të firmoset javën tjetër në Tiranë.
Marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit me Italinë do të firmoset javën e ardhshme në Tiranë. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka njoftoi nga Roma se është arritur dakordësia për përfundimin e procedurave.
“Një tjetër hap konkret i bashkëpunimit bilateral ishte dakordësimi i sotëm për përfundimin e procedurave për Marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, që do të firmoset javën e ardhshme në Tiranë. Në fakt, e diskutuam edhe me kolegun Di Maio, janë pikërisht veprime konkrete si ky, edhe pse në dukje të vogla në skemën e madhe të diplomacisë, që kanë impaktin më konkret e të drejtpërdrejtë tek qytetarët" tha Xhaçka.
Edhe pse ende nuk ka asnjë dokument te firmosur, kryeministri Edi Rama nxitoi të shkruante në rrjetet sociale se nga kjo e premte lejet e drejtimit do të njihen edhe në Itali.
Në takimin që zhvilloi me Xhaçkën, Ministri Di Maio foli edhe per zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, duke i konsideruar ato si provë për negociatat me BE.
“Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një etapë thelbësore sa i përket rrugëtimit evropian. Jemi të sigurt se të gjitha institucionet dhe forcat politike shqiptare do të japin prova për maturi demokratike, duke konfirmuar se janë gati për të ndërmarrë rrugën evropiane”, tha ministri italian në fjalën e tij.