"Kallëzim penal Veliajt" Sali Shehu për RTV Ora: Tentuan të ndalonin dhe presidentin por s'ia dolën
Fryma e Re Demokratike do të hartojë një kallëzim penal për dhunim të ambienteve të selisë së FRD nga bashkia e Tiranës. Gjithashtu i është kërkuar prokurorisë së Tiranës të nisë hetimet për kalim të kompetencave nga ana e policisë bashkiake.
Në një intervistë për RTV Ora kryetari i kësaj partie, Sali Shehu deklaron hapat që do të ndërrmarrë pak orë pas përplasjes së fortë fizike dhe politike tek zyrat e partisë FRD pasi policia bashkiake e Tiranës kërkoi lirimin e godinës.
Për gazetarin Xhoi Malësia, Shehu tha se është tentuar të ndalohet edhe presidenti Ilir Meta por nuk ia dolën.
RTV Ora: Çfarë ka ndodhur?
Sali Shehu: Kemi patur një letër të paidentifikuar, pa vulë e pa firmë e pa protokoll. Letra është lënë korridoreve të FRD dhe e gjetur nga personeli e lënë mënjanë. Nëse do ishte zyrtare do merrnim masa.
RTV Ora: A ka pasur pas këtij veprimi ndikim politik?
Sali Shehu: Kjo erdhi pak ditë pasi nënshkruam marrëveshjen me Aleancën për Ndryshim. Nuk ka asnjë diskutim tjetër. Sigurisht që ka sfond politik.
RTV Ora: Si u gjend presidenti krah jush?
Sali Shehu: E falenderoj për qëndrueshmërinë, korrektesën si kryetar shteti ndaj shkeljeve që ndodhin në Shqipëri.
Isha në takim kur më thanë se policia bashkiake nuk lejon njerëzit të hyjnë në ambiente. Kam njoftuar të gjithë mediet për këtë akt të paprecedentë dhe kam bërë një deklaratë zyrtare për mediat. Dy- tre minuta më pas më telefoni dhe presidenti nuk vonoi.
Tentuan të ndalonin dhe presidentin por nuk ndaluan, sic nuk ia dolën të ndalonin as kryetarin të opozitës. Kjo zyrë është e FRD se jemi me të drejtën tonë ligjore.
RTV Ora: Maxhoranca ju akuzon se nuk keni pasur një sjellje dinjitoze
Sali Shehu: Sjellje dinjitoze nuk ishte e bashkisë që solli një letër paçavure. Kemi hyrë në këtë godinë në 2016 si parti që kishim siguruar 1% të votave në shkallë kombëtare.
Si guxon të nxjerrësh partinë një muaj para zgjedhjeve, kjo është e paimagjinueshme dhe nuk ka ndodhur. Ne nuk dalim nga kjo zyrë sepse jemi në të drejtën tonë. Jam në kontakt me kreun e KQZ-së
Kam iniciuar kallëzim penal për dhunim të ambienteve të selisë së FRD nga bashkia e Tiranës. Kam kërkuar prokurorit të Tiranës të nisë hetimet për tejkalim të kompetencave të policisë bashkiake në hyrje të FRD
RTV Ora: A keni ndonjë koment për paraardhësin tuaj të dorëhequr,
Sali Shehu: Jo nuk kam.
Ju faleminderit