Basha, mesazh për "bishën e plagosur" nga FRD: Nuk ke shans të trembësh popullin që do të largojë me 25 prill

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi pasditen e sotme zyrat e FRD-së në Tiranë, ku zhvilloi një takim me kreun e kësaj partie Sali Shehu.

Momenti i futjes së tij brenda u shoqërua me tensione dhe shtyrje me policine bashkiake.

Bashkë me Bashën në zyrat e FRD ishin edhe mbështetës të PD-LSI-FRD.

Në një deklaratë për mediat nga selia e FRD, Basha përcolli këtë mesazh për kryeministrin Rama.

Basha: Para disa ditësh një mik shumë i njohur pohonte,duket qartë që fitorja po vjen. Kam vetëm një këshillë miqësore, humbësi bëhet i rrezikshëm dittët e fundit. Është ajo që populli shqiptar  thotë, ruaju bishës së plagosur. Sot po i them bishës së plagosur që nuk ke shans të trembësh dhe të frikësosh popullin që ka vendosur të të largojë me votë në 25 prill.Nuk ke shans të trembësh apo të frikësosh opozitën që ka marrë mbi supe misionin për të përfaqësuar vullnetin e të gjithë qytetarëve për ndryshim, 25 prilli është ndryshimi. Këtë e di mirë Edi Rama. Ngjarja e sotme është vazhdimi i një serie ngjarjesh që tregojnë vetëm një gjë, ka humbur mendjen.Ka dalë nga fiqiri prej panikut të humbjes dhe drejësisë që e pret atë dhe gjithë të tjerët që e kanë shndërruar shtetin shqiptar në një strehë të krimit dhe oligarkisë dhe një letër bakalli si kjo letër bakalli me anë të cilës mendojnë se mund të ushtrojnë presion mbi opozitën. Shqiptarët e dinë se e kanë vuajtur dhunën e këtij shteti në 8 vite. Dhuna e Edi Ramës dhe sjellja e shtetit të kapur prej tij kanë qenë burimi i gjithë të këqijave të këtyre 8 viteve. Qytetarët shqiptarë e dinë që dhuna nuk është zgjidhje. Shpresa dhe optimizmi nuk mungon në zemrat e shumicës dërmuese të shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të sjellim  ndryshimin dhe asgjë nuk do ta ndalë këtë ndryshim, as dhuna, as gjuha e sharjes dhe baltës, as krimi që janë grahmat e fundit të Edi Ramës dhe pushtetit të tij të korruptuar.

Qytetarëve u bëri thirrje të jenë të bashkuar pasi, siç tha ai, asgjë nuk do të mund të ndalë ndryshimin me 25 prill.

Basha: Ju ftoj të vazhdojmë të jemi bashkë dhe të vendosur. Shumica absolute e shqiptarëve, përfshirë socialistët e  ndershëm që duan ndryshimin, duan që Shqipëria të kthehet në rrugën e duhur dhe të dalë nga gremina ku e ka çuar Edi Rama.Dua ti them pakicës absolute, një grushti njerëzish, Edi Ramës, kriminelëve me të cilët ke darkuar edhe para dy netësh në Kryeministri, oligarkëve që u jep paratë që u vjedh shqiptarëve, jeni një grusht njerëzish, keni marrë fund, nuk e ndalni dot ndryshimin. Në 25 prill zgjedhja është e qartë, ose do të mbetemi këtu ku kemi qenë për 8 vite me radhë, ose do të bashkohemi të gjithë dhe të çlirojmë Shqipërinë. Shqipëria nuk mund të ndryshojë pa larguar Edi Ramën.Skena si këto do të vazhdojnë nëse 25 prilli mbetet dita e statuquosë por nuk ka shans mbi tokë që kjo të ndodhë, nuk ka shans që Shqipëria të mbetet në duart e një grushti njerëzish. Shqipëria do tu kthehet shqiptarëve.

Sa i takon apelit të Presidentit, i cili e ftoi opozitën të zgjohet dhe të mos telerojë shkeljen e asnjë rregulli të garës, Basha pati këtë koment.

Basha: Opozita ka qenë dhe është në krye të detyrë, Presidenti ka qenë dhe është në lartësinë e detyrës për të mbrojtur Kushtetutën në kushtet e një shteti i cili është i gjithi në funksion të mafies, Ndraghetës së Erion Veliajt, të oligarkëve dhe kriminelëve të Edi Ramës, fundi i pengmarrjes së shtetit është i afërt, shqiptarët janë të bashkuar dhe 25 prilli do të jetë dita e ndryshimit.

Kreu i demokratëve ndërhyrjen e bashkisë në zyrat e FRD e cilësoi hakmarrje politike të Ramës ndaj kësaj force politike e cila iu bashkua koalicionit opozitar.

Basha: Hakmarrja është tipari më dallues i Edi Ramës në këto 8 vite dhe padiskutim kjo është dhunë ndaj opozitës, është dhunë ndaj mendimit të lirë por kjo nuk na tremb dhe as shkurajon sepse dhuna ka qenë e vetmja alternativë që ai ka pasur për shqiptarët. Alternativa jonë është alternativa e ndryshimit, shpresës e cila vjen përmes bashkimit që do të sjellë fitoren më të thellë në 30 vite të vullnetit të shqiptarëve të lirë që u ka ardhur në majë të hundës.

Selia e FRD-së u kthye në një "arenë" përplasjesh pasi policia bashkiake e Tiranës zbarkoi mëngjesin e sotëm për të nxjerrë jashtë  zyrtare këtë subjekt politik me pretekstin se aty do të kryehen punime.

Pas kësaj i pari që mbërriti ishte presidenti Meta, ku pati edhe përplasje me policinë bashkiake.

Me FRD u solidarizua edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.