Tërhiqet ligji i sekuestrimeve
Qeveria tërhiqet në mënyrë të papritur nga favorizimi i një grupi bankash.
Maxhoranca socialiste, hartoi në shkurt të këtij viti një draft të posaçëm ndryshimesh për sekuestrot dhe në minutën e fundit, para shqyrtimit në kuvend vendosi ta rishikojë atë.
Me një shkresë drejtuar kryetarit të parlamentit, Gramoz Ruçi, nismëtari Adnor Shameti, nuk jep argumente për rrëzimin e nismës së tij, por thotë se ndryshimet duhen rishikuar në tërësi.
Tërheqja vjen pasi Ora News, publikoi katër ditë më parë përmbajtjen e draftit, i cili synonte në mënyrë të hapur dhe në kundërshtim me ligjin ekzistues, shërbimin vetëm ndaj disa institucioneve financiare private në raport me shtetin.
Favoret e fundit të Kuvendit, ndryshon ligji për konfiskimet, PS u jep më shumë pushtet bankave
Ndërhyrjet ishin parashikuar në "ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar , trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave kundër pasurisë".
Siç shihet në draftin fillestar, të publikuar dhe më herët nga Ora News, Shameti synonte tjetërsimin e 13 neneve të ligjit ekzistues.
Ndryshimet e paraqitura, i jepnin më shumë hapësirë bankave.
Ato, në rastin e konfiskimit të pronave, ktheheshin në pronare të objektit te cili i kanë dhënë kredi. Në këtë mënyrë, përmes vendimit i hiqej mundësia shtetit që të bëhej ai përfituesi kryesor.
Në relacionin shoqërues kjo argumentohej me faktin se bëhet me qëllim garantimin e të drejtave të bankave.
Dhe pse deputeti socialist Shameti, nuk paraqet detaje për rishikim të draftit, ai e mori këtë vendim vetëm pasi nisma u publikua.
Në shumicën e rasteve ligjet e hartuara nga maxhoranca kanë kaluar në heshtje.
Lexo dhe: Ju Flet Moska – Ligji antimafia po ndryshon në interes të bankave, në dëm të shtetit
Por edhe kur ato kanë hasur kundërshti nga presidenti, janë miratuar serish pasi socialistët kanë shumicën e votave së bashku me opozitën parlamentare.
Ky është ndër rastet e rralla që një deputet rrëzon nismën e tij pasi ajo publikohet.