Policia Bashkiake "pushton" zyrat e FRD, apeli i fortë i Metës: Do përfundoni si policët e Mubarakut

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shkuar në ambjentet e ambienteve të selisë së FRD-së, pak pasi policia bashkiake urdhëroi lirimin e zyrave.

Sipas Metës, vendimi i paligjshëm ka prapavijë politike.

Meta: Menjëherë pasi u nënshkrua një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje, të sjellësh një shkresë të tillë që nuk ka as vulë, as emër titullari që të mbajë nesër përgjegjësi dhe as numër protokolli, të bërë me vrap e nxitim vetëm për të dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare që synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhje duke keqpërdorur bashkinë bandë.

Padyshim që është tepër irrituese dhe është një paralajmërim për gjithë qytetarët për një përpjekje mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë, mbi procesin zgjedhor me garanci dhe integritet. I bëj thirrje gjithë opozitës që të zgjohet dhe të mos lejojë asnjë cekje të rregullave të garës, sepse do të jetë vonë për të dhe jo për popullin shqiptar.

Presidenti Meta i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë Tiranë të heqë dorë nga veprime të tilla. Ndërsa apeloi te Policia e Shtetit dhe Bashkiake të respektojnë ligjin pasi do të përfundojnë si policët e Mubarakut.

Meta: Jam këtu pas bisedës telefonike të bërë nga kryetari i FRD-së Sali Shehu. Dhunohet nga njerëz pa asnjëlloj autorizimi kryetari i FRD të Tiranës në kushtet kur këtu vjen Presidenti i shtetit. Po i paralajmëroj edhe njëherë policinë Bashkiake dhe atë të Shtetit, të mos përfundoni si policët e Mubarakut nën këpucët e popullit shqiptar. Po i them kryepalaços së bashkisë bandë se ti e di shumë mirë se çfarë ke bërë me firma dhe pa firma. Ndaj mos iu bind më urdhrave të të çmendurit, sepse ai do të nxjerrë kartelën me 25 prill ose dhe më parë", ka thënë Meta