Harrohet pandemia, bashkia Elbasan 33 milion lekë dekor për Ditën e Verës

Këto lule artificiale janë pjesë e dekorit për ditën e verës dhe do tu kushtojnë qytetarëve 3.3 milionë lekë të reja sipas tenderit të Bashkisë Elbasan drejtuar nga Glendian Llatja.

Përtej vlerës së shpenzimeve që konsiderohet e lartë në një kohë të vështirë, dekori është zhgënjyes për banorët në qytetin e luleve.

"E mira që të jenë natyrale," thotë një qytetar.

"Reale, ne kështu jemi mësuar," thotë një tjetër.

"Natyrale, ç'i do ato,"thotë një zonjë.

Dita e Verës nga ana tjetër rrezikon të kthehet në festën e virusit Covid në Elbasan.

Kjo pasi Bashkia e Drejtuar nga Gledian Llatja ka vendosur të sfidojë pandeminë dhe të organizojë festime në një kohë kur grumbullimet mbi 10 persona janë të ndaluara.

"Do të ketë një treg agro-ushqimor dhe zejtar përgjatë murit të kalasë, gjithashtu në portën e Kalasë do të pozicionojmë një ekspozitë të piktorëve më të mirë të qytetit me veprat e tyre të përzgjedhura, veprat më të mira,"thotë nënkryetarja e bashkisë Elbasan.

Vartësit e Llatjes thonë se do të nxjerrin policinë bashkiake për të garantuar zbatimin e protokolleve, por kjo do të jetë një sfidë e vështirë.

"Kemi një grup të sigurisë i cili do të përkujdeset në çdo detaj të këtyre aktiviteteve," thotë ajo.

Veç shpenzimeve për dekor, bashkia e Drejtuar nga Gledian Llatja,  ka menduar që të shpenzojë edhe 791 mijë lekë për blerjen e fishekzjarreve, ndërsa 20% e tyre do të dorëzohen me datën 13 mars.