I vunë eksploziv makinës, emaili i prokuror Muços: Ndihem i kërcënuar, më mbroni. KLP: Atentat terrorist!
Prokurori i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arjan Muça dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje pas shpërthimit me eksploziv në makinën e tij mbrëmjen e 11 marsit 2021.
Ora 12:10 Përmes një emaili Muça i shkruan KLP-se se ndihet i kërcënuar për veten dhe familjen e tij dhe kërkon mbrojtje. Ora News ka siguruar emailin e prokurorit Muça.

Ora 12:00 KLP Atentat terrorist! Mbrojtje të posaçme prokurorit Arjan Muça
Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagon pas ngjarjes së mbrëmshme në Tiranë ku, anëtarit të saj, prokurorit Arjan Muça iu vu eksploziv në makinë.
Sipas KLP-së, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.
KLP shton se, prokurorit, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë Arjan Muça dhe familjes së tij do ti ofrohet mbrojtje e posaçme.
"Në pritje të përfundimit të hetimit, të cilit e presim me padurim, ajo që ka ndodhur dje mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij.
Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një
atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit."
Mbrojtje familjes
"Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në
zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e
Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.
Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji" thuhet në njoftimin e KLP-së.
Kërkesa për mbrojtje e prokurorit Arjan Muça
09:47 - Eksploziv makinës, merret në mbrojtje familja e prokurorit Arjan Muça
Pak orë pas shpërthimit te "Komuna e Parisit", ku objekiv ishte makina e prokurorit Arjan Muça, Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje familjen e këtij të fundit.
Prokurori i komanduar pranë KLP-së, pas dëshmisë që dha dje për grupin hetimor, është marrë sërish në pyetje ditën e sotme ku ndër të tjera është shprehur se "nuk ka konflikte me asnjë person", raporton Ora News.
Kujtojmë se, makina tip "Benz" që iu vu eksplozivi, përdorej edhe nga bashkëshortja e tij, Gentjana Muça, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative Tiranë.
"Policia e Shtetit ka marrë në kushte emergjence në mbrojtje familjen Muça. Vendimi do të jetë në fuqi deri në mbledhjen më të parë që do të ketë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili do të përcaktoj përmes të gjithë kuadrit ligjor mbrojtjen. Duke qenë se bashkëshortja e Muçës është gjyqtare dhe akoma nuk dihet nëse sasia e lëndës plasëse i është vendosur asaj apo të shoqit, të njëjtën procedur për marrjen në mbrojtje pritet ta bëj edhe KLGJ".
Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen, ndërsa policia po kqyr kamerat e sigurisë në zonë.