Takimi i Bashës në Kavajë, Policia procedon 24 persona. 50 mijë lekë gjobë kreut të PD

Një ditë pas vizitës të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në Kavajë, Policia e Shtetit ka proceduar 24 persona.

"Procedimi penal për 24 persona për veprën penale ‘Tubim i paligjshëm në kohë pandemie’ Policia e Tiranës ka gjobitur me 50 mijë lekë organizatorin e tubimit të kryetarit të PD, Basha me qytetarët në Kavajë", thuhet në njoftim.

Kreu i PD, Lulzim Basha, u prit dje në Kavajë nga qindra persona çka solli edhe emocionimin e tij. Lideri i opozitës iu përgjigj mikpritjes kavajase duke hipur mbi makinë, ndërsa apeloi disa herë për respektim të masave anti-Covid.

Lexo edhe: Kavaja surprizon Bashën, mblidhen për ta pritur, kryedemokrati emocionohet dhe hipën mbi makinë

Pas mbylljes së vizitës së Bashës erdhi edhe reagimi i Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit shpreh shqetësim për thyerjen flagrante të rregullave anticovid në grumbullimin e disa njerëzve nga ana e një subjekti politik. Bëjmë thirrje për respektimin e këtyre rregullave nga të gjithë dhe shpresojmë në mirëkuptimin e të gjithëve.

Deri kur rregullat në fuqi do ta ndalojnë grumbullimi e mbi 10 personave, Policia e Shtetit është e detyruar të penalizojë shkelësit. Por, njëkohësisht duke mos dashur në asnjë mënyrë të hapim shtigje për keqinterpretime, u kërkojmë subjekteve politike bashkëpunim dhe mirëkuptim. Në të kundërt penalizimet me gjobat përkatëse do të jenë të pashmangshme”, thuhet në deklaratën e Policisë.