Tubimet elektorale, Mediu përshëndet vendimin e Kushtetueses: Goditje për Ramën
Ndalimin e tubimeve në fushatë elektorale, kreu i Partisë Republikane e ka cilësuar vendim politik për të penguar opozitën, që nuk duhet marrë në konsideratë.
Në një takim me koordinatorët e PR-së në Tiranë Fatmir Mediu komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pak ditë më parë kërkoi nga Komiteti Teknik rishikimin e urdhrit për ndalimin e tubimeve dhe kufizimin e kohës së këtij vendimi.
"Nuk mund t'i bindemi një urdhri tërësisht politik të qëllimshëm të provuar dhe nga Gjykata Kushtetuese tashmë që pranoi në mënyrë të pjesshme kërkesën e Partisë Republikane për të shfuqizuar urdhrin e qeverisë apo të grupit të ekspertëve.
Mendoj që me këtë kërkesë Partia Republikane dëshmon që ndërtimi i shtetit dhe mbrojtja e lirive dhe e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm është në themel të filozofisë sonë politike, por duhet të qëndrojë në themel të funksionimit të shtetit dhe sidomos të qeverisjes së nesërme të Aleancës për Ndryshim," ka thënë Mediu.
Mediu akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë persona të inkriminuar.
"Duket qartësisht që Edi Rama ka qëllim për të vazhduar manipulimin e zgjedhjeve, duke deklaruar shifra tërësisht fallso, duke u përpjekur që të vendosë limite me figura politike për të arritur qëllimin e vet politik. Por brenda saj nuk është vota e qytetarëve, por është manipulimi që Edi Rama po përpiqet të ndërtojë në çdo qendër votimi me grupe kriminale, me para të pista, me intimidim të votuesve për të ruajtur pushtetin e krimeve të korrupsionit," tha Mediu.
Kreu i PR-së dënoi gjuhën e përdorur nga Kryeministri Rama në bashkëbisedimin online me kandidatët për deputetë ku u shfaqën edhe disa fotografi të personaliteteve të opozitës të komentuara negativisht nga kreu i qeverisë.
Lexo edhe: Komiteti Teknik vendos: Mësimi do të vijojë online, ndalohen grumbullimet për fushata elektorale