"Këto janë zyrat e FRD, nuk ka burrë nëne ti tjetërsojë kush!" Shehu, Veliajt: Ndale këtë marrëzi, prapavijë politike
Koalicioni me Partinë Demokratike duket se ka lënë shije të hidhur te kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ka rrethuar selinë e partisë së drejtuar nga Sali Shehu me policë bashkiakë.
Gjatë paradites pati tension kur policia bashkiake nuk lejoi të hynin brenda në këto ambiente. Ndërkohë që krah Sali Shehut e anëtarëve të FRD janë gjendur presidenti Ilir Meta, Partia Demokratike dhe LSI.
"Këto zyra janë të FRD dhe nuk ka burrë nëne që ti tjetërsojë. Ne jemi këtu për ti thënë shqiptarëve që jemi së bashku për një gjë më të mirë" tha Sali Shehu në një prononcim për median duke shtuar se për situatën kishte njoftuar të gjitha mediet dhe drejtuesit kryesor të shtetit: kryeministrin, kryetarin e opozitës, kryetarin e KQZ-së, presidentin.
Selisë së Frymës së Re Demokratike, që ndodhet në ish selinë e vjetër të PD, i është ndërprerë edhe energjia elektrike.
Shehu-Veliajt: Prapavijë politike! Ndale këtë marrëzi
Në shkresën e nisur ndaj FRD-së, që mban datën 3 mars, kërkohet lirimi i zyrave, pasi do të bëhet sistemimi i stafit dhe njësitë administrative.
Lidhur me këtë veprim të Bashkisë Tiranë reagon edhe kryetari i kësaj force politike, Sali Shehu.
Në një komunikim me mediat, Shehu e quajti këtë akt provokim, me prapavijë politike dhe antiligjor.
"Nga zyrat e Bashkisë ka ardhur e pafirmosur që bën fjalë për lirimin e ambienteve që nga prilli 2016, e quajmë si provokim të rëndë, aq më tepër tentativat e neveritshme për të fikur dritat dhe përdorimi i policisë Bashkiake për të ndaluar anëtarët që të hyjnë në ambientet. Ju bëjmë me dije që jemi në të drejtën tonë që na garanton ligji.
FRD nuk mund të besoj se këto veprime janë urdhëruar nga ju, prandaj ndalojeni këtë marrëzi. Besojmë që ndërhyrja juaj do jetë e menjëhershme.
Ky dokument është hedhur në korridorin e zyrave të FRD disa ditë për bashkëpunimin me aleancën për ndryshim. Kur e kanë parë punonjëset e pastrimit e kanë lënë në një cep se nuk kishte firmë vilë, pa adresë dhe pa numër protokolli, këto nuk janë dokumente zyrtare.
Në respekt të ligjit në jemi në katin e tretë, pas kësaj letre, mbrëmë ka pasur një tentativë që të fikin dritat, nuk ia kanë dalë, sot i kanë fikur që nga kati i parë dhe në momentin që kanë parë që kanë ardhur anëtarët, ato vendosën policinë bashkiake dhe mbyllën derën.
Kemi përgatitur kallëzim penal për Bashkinë dhe Policinë e Bashkisë. Unë do të jem në zyrën nëse e kanë vendosur le të më arrestojnë në zyrë, se nuk është vetëm një dhomë, por një kat i gjithi", tha Shehu.

FRD, partia e themeluar nga ish presidenti Bamir Topi, iu bashkangjit koalicionit opozitar "PD - Aleanca për Ndryshim" për zgjedhjet e 25 Prillit.
Menjëherë pas këtij akti Topi dha dorëheqjen ndërsa në krye të FRD-së u zgjodh Sali Shehu.
Lexo edhe: Dorëheqja e Topit, Sali Shehu zgjidhet në krye të FRD
Kujtojmë se, ambjentet në fjalë i ishin dhënë FRD-së nga vetë Bashkia e Tiranës në prill 2016.