Tiranë/ Ujin e paguajmë shtrenjtë e nuk pihet

Qytetarët e Tiranës detyrohen ta blejnë ujin ose ta mbushin në Dajt për shkak të furnizimit me probleme .

Një banor i kryeqytetit i cili prej orëve të mëngjesit ndodhej në burimin natyror në Dajt tha se uji që vjen në çezma nuk konsumohet.

"Ai në shtëpi nuk pihet, ne e blemë. Zakonisht vijnë këta me furgona që kanë depozitat. Uji na vjen 2 herë në ditë," thotë banori.

Ka nga ato qytetarë që ujin që konsumojnë detyrohen ta blejnë në market, apo dhe autobote.

"Jo nuk e konsumojmë. Konsumojmë ujë Dajti, ujë  Selite. Uji i çezmës është i përzier," thotë një qytetar.

Vetë qytetarët thonë se uji në shtëpitë e tyre shkon me orare, ndërkohë që fatura mujore për këtë shërbim është dyfishuar si pasojë e rritjes së tarifës dhe përfshirjes së taksave të reja të vendosura nga bashkia e Tiranës.

"S'ka akoma ujë 24 orë," thotë qytetari.

"3 herë në ditë, vjen në mëngjes, në drekë dhe në darkë," thotë një qytetar.

"Unë s'kam ujë fare," thotë një qytetar tjetër.

Edhe pse faturat e ujit të pijshëm janë të kripura, uji përdoret vetëm për larjen e rrobave apo të banesave.  Qytetarët thonë se po të mos ishin depozitat do ta kishin të pamundur jetesën.

Shpesh Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka folur për planin e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë, ku tha se do të hiqen depozitat.

"Do të fillojë çmontimi i depozitave, është një lajm që është pritur prej 25 vjetësh," kështu është shprehur kryebashkiaku në vitin 2019.

"Unë besoj që brenda 5 vitesh ne do të kemi ujë 24 orë në Tiranë," ndërsa kështu është shprehur Veliaj në vitin 2017.

24 orë ujë në çdo lagje duket se është një ëndërr e deri në realizimin e saj qytetarët do tu duhet të mbushin ujë në Dajt ose ta blejnë në autobote, ndërkohë që paguajnë edhe faturat e kripura të ujësjellësit çdo muaj.

https://youtu.be/BWL81nlRe3c