“Në sulm të gjithë..” Rama porosit skuadrën e PS: Vraponi dhe pasoni topin, ndalni golat off side të LSI

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme në lidhje live skuadrën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.

Rama u ka lënë porositë për fushatën, teksa i ka kujtuar që të mos harrojnë objektivin që u është vendosur, minimalisht 19 mandate në Tiranë, maksimalja 20.

Rama: Motivimin nuk mund të na e japin dot ata. Janë shumë të dobët për të na motivuar. Fokusohuni të objektivat dhe luftoni për ta gjetur motivin duke kërkuar të fitoni çdo zemër e mendje të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Vraponi pa pushim, pasojeni topin sa më shumë te njëri-tjetri. Të gjithë në sulm për Shqipërinë e të ardhmes bashkë me qytetarët, përballë atyre që kudo ku shfaqen kërkojnë një shesh për të bërë përshesh. Në sulm për ekonominë e së ardhmes, për lehtësinë e të ardhmes, për arsimin, bujqësinë , Shqipërinë e të ardhmes.

Në sulm për të mbrojtur popullin nga taksa e sheshtë, në sulm për të mbrojtur taksat zero për biznesin e vogël, në sulm për të ulur taksat mbi pagat deri në 400 mijë lekë, për uljen e taksave të pagave deri në 4 milionë lekë, në sulm për të mos lejuar uljen e taksës mbi fitimin për biznesin e madhe dhe në sulm për ta mbrojtur biznesin e madh nga rikthimi i gjuetarëve dhe taksidarëve pa dinë e pa iman të atij taborri që kërkon të na pengojë dhe të na bllokojë rrugët. Në sulm për të mbrojtur mësuesit, infermierët dhe administratën nga rikthimi i shpatës nga partitë, krushqitë dhe hordhitë. Në sulm për të mbrojtur drejtësinë e re nga Saliu dhe Iliri dhe për ta shtrirë rilindjen më tej.

Kujdes golat off side të LSI

Duke e krahasuar skuadren me nje skuader futbolli Rama i beri thirrje te bejne kujdes sidomos nga LSI.

12 në sulm, 12 në mes fushë, 12 në mbrojtje. Kjo është strategjia. Në sulm ata që janë përpara. Në mes fushë ata që organizojnë e shpërndajnë topat, që krijojnë harmoninë dhe në mbrojtje ata që duhet të ruajnë skuadrën prapa nga golat off side e të parregullt sidomos të LSI, që është e stërvitur e të gjithë shpresat i ka tek golat e parregullt”, ka thënë Rama.

Objektivat e PS në Tiranë:

Kryeministri ka shtuar edhe objektivat e PS në Tiranë, duke kërkuar me doemos 19 mandate.

“Objektivi bazë është 19 mandate në Tiranë dhe nuk e luan topi. Objektivi maksimal është 20 dhe nëse luajmë me të gjitha forcat është i arrirë”

Lexo edhe: Kush iku nga listat e PS-së, 25 deputetët që nuk rikandidohen