Tregtari ankohet për rënie të konsumit: Në Shqipëri kanë mbetur vetëm pleqtë dhe administrata
Kriza e shkaktuar nga pandemia, tashmë 1 vjeçare ka goditur shumë fusha të zhvillimit të ekonomik.
Ora News ka vizituar tregun e fruta-perimeve në Tiranë, ku problematikat e tregtarëve kanë qenë shumë të mëdha.
Tregtarët kanë treguar se të ardhurat kanë pësuar tkurrje dhe rënie të mëdha përgjatë kësaj kohe me rreth 15% nga një vit më parë.
“Ka pasur tkurrje të blerjeve. Prurjet nga jashtë shtetit dhe emigrantët kanë qenë zero, se i ka prekur të gjithë njëlloj pandemia. Gjatë kësaj kohe janë kërkuar produkte që janë rekomanduar nga mjekësia si lëngjet, boronica si produkt i lakmueshëm, qepa e kuqe dhe limoni. Pastaj vijnë frutat e tjera.
Ka rënie, se njerëzit kanë tkurrje nga leku. Mall ka, por blerja ka qenë 15% më e vogël. Unë tregtoj fruta perime për 26 vjet dhe kam bërë bilancin e ka rënie me 50% pas 26 vjetëve. Popullsia është vetëm administrata që është e punësuar dhe mosha mbi 65 vjeç e lart. Pensioni është i papërballueshëm sepse a të marrin ilaçe apo gjërat e tjera. 300-400 mijë lekë nuk është për një pjesëtar familje në spital, që dihet se sa është kostoja e një medikamenti”, ka thënë njëri prej tregtarëve.
Ata kanë thënë se janë ndjerë të rrezikuar përgjatë kësaj kohe, duke thënë se nuk është marrë asnjëlloj kushti për ta dhe se kontaktet me qytetarët janë të shumta pa e ditur nëse janë të infektuar apo jo.
“Jemi në rrezik normalisht, sepse na kalojnë dhjetëra njerëz përballë. Askush nuk thotë që është i infektuar apo jo. Ai mund të jetë me Covid dhe ma lë dhe mua. Tamponët zgjasin shumë ditë për të marrë përgjigjen. Ti edhe nëse e ke, nuk mund të marrësh kurën, ilaçet që të takojnë, sepse nuk merr përgjigjen në çast.”

