SHBA qetëson Elbasanin, ambasadorja Kim pret në takim drejtuesit e listave të 4 partive

Ambasadorja e SHBA-së i ka nisur takimet me drejtuesit e listave të kandidatëve në Elbasan. Në tryezën e saj janë ulur me radhë Taulant Balla, Gazmend Bardhi, Monika Kryemadhi e Rudina Hajdari. Kryediplomatja amerikane në Shqipëri për mediat e vuri theksin te rëndësia e votës në 25 prill.

Elbasani është kthyer për disa orë në qendrën e diskutimeve politike.

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, priti në takim drejtuesit politik dhe të parët e listës për forcat kryesore.

Rreth orës 10:30 biseda nisi me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së Taulant Balla.

Diskutimi që zgjati rreth gjysëm ore vjen pas prezantimit të listave të kandidatëve për deputet nga partitë që do të jenë pjesë e garës së 25 prillit.

Në respekt të parandalimit të Covid 19 dhe përshëndetja ishte në takimin simbol.

Pas tij në tryezë u ul dhe Gazment Bardhi, por pa u takuar me rivalin e tij Taulant Balla.

Lexo edhe: Kush iku nga listat e PS-së, 25 deputetët që nuk rikandidohen

Thuajse pas të njëjtit orar edhe ai ka lënë ambientet e takimit, për t'ia lënë radhën kryetares së LSI-së, po ashtu kandidate në këtë qytet.

Ndërkohë Rudina Hajdari mbërrin në ambientet ku do të mbahej takimi por është detyruar të presë përfundimin e  bisedës mes ambasadores Kim dhe Kryemadhit.

Lexo edhe: “Vëllai i Prokurorit të Elbasanit në listën e kandidatëve PS” Kryemadhi zbardh takimin me Yuri Kim

Pas diskutimit, Kryemadhi solli në vëmendje shqetësimet në këtë nisje të fushatës.

Monika: Konkretisht me ambasadoren diskutuam për situatën e fushatës elektorale në qytetin e Elbasanit dhe në gjithë qarkun e Elbasanit. Ajo që ne diskutuam është shumë e rëndësishme, ka rëndësi që t’i krijojmë shanse dhe mundësi të gjithëve që të votojnë, të mos ushtrohet presion institucioneve shtetërore duke filluar me ndihmën ekonomike, me konfliktin e interesit që ka prokurori i Elbasanit sot që ka vëllain e tij në listën e Partisë Socialiste, për të vazhduar më tej me krijimin e mundësive që të ketë sa më shumë gra dhe vajza që të jenë pjesë e gjithë asaj që është e domosdoshme.

Mos harrojmë që Elbasani është qyteti më elitar, edhe më shumë se Tirana për sa i përket intelektualëve, forcës së gruas, forcës së vajzave, forcës së rinisë. Dhe tjetra ajo që është e rëndësishme, mendoj që lista fituese e LSI i jep një shans të jashtëzakonshëm të rinjve dhe të rejave, i jep një shans grave dhe vajzave për të qenë ato që do të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë.

Takimi me përfaqësuesen e Nismës Thurje duket se u zhvendos në një tjetër ambient, ndërsa Ambasadorja për mediat edhe një herë solli në vëmendje rëndësinë që ka vota.

Yuri Kim: Fuqia përfundimtare qëndron te votuesit. Atyre që u kërkohet t'u blihet vota do t'u thoja:  Vota juaj është pushteti juaj, prandaj mos e dorëzoni këtë!

https://youtu.be/w5KS2taQ_2k